Shpresat e Liverpool-it për titullin kampion morën një goditje të fortë pas barazimit në transfertë me Uest Hemin me rezultatin 2-2. Të kuqtë kanë fituar vetëm 1 nga pesë sfidat e fundit. Pas humbjes në derbin e Merseyside ndaj Evertonit me rezultatin 2-0, skuadrës së Jurgen Klop i nevojitej një fitore që të mund të qëndronte në garë me Arsenalin dhe Mançester Sitin në krye të renditjes.
Uest Hemi gjeti golin i pari me Bouen në minutën e 43. Në nisje të pjesës së dytë barazoi Robertson. Në të 65’, Areola e futi topin në portën e tij, duke i dhënë avantazhin miqve. Por Antonio barazoi rezultatin. Një tjetër episod që e prishi ditën te të kuqtë ishte përplasja mes teknikut Jurgen Klop dhe sulmuesit Muhamed Salah.
Ndërsa egjiptiani po priste të futej në lojë, ai shkëmbeu fjalë me trajnerin gjerman. Në lidhje me këtë, Klop tha se çështja ishte mbyllur dhe të dy ishin sqaruar në dhomat e zhveshjes.
Klan News