Një ditë më parë 28 shoqata të biznesit në të gjithë vendin u mblodhën për të lobuar në ngritjen sa më parë të gjykatës administrative me suportin edhe të USAID-it dhe programit “Prag i sfidës së mijëvjeçarit”. Përfaqësues dy prej dhomave kryesore të tregtisë në vend, asaj amerikane dhe britanike, flasin për domosdoshmërinë që ka për biznesin vendas vënia në punë e kësaj gjykate, duke kërkuar kalimin sa më shpejt të projektligjit në fjalë në seancat e para të parlamentit të ri.

Floreta Luli-Faber: “Gjykata administrative është një element shumë i rëndësishëm i drejtësisë për t’i dhënë  të drejtën bizneseve apo shtetit në çështjet që ato i kanë në konflikt me njëra tjetrën. Eksperienca ka treguar që rastet e biznesit nëpër gjykata kanë shkuar për shumë vite dhe interesi i gjykatës administrative, sidomos ndaj grupeve të biznesit është që kjo gjykatë të përshpejtojë procedurat dhe të jetë sa më e drejtë me të dyja palët.”

Zenel Hoxha: “Mendoj që jemi të vonuar, ndaj dhe duhet të fitojmë kohën e humbur. Kur kemi parasysh siç thashë çështje të mëdha siç është çështje të mëdha të biznesit që janë në procese gjyqësore dhe krijimi i gjykatave Administrative është përgjigjja e duhur dhe është në sinkron, pra në linjë me standardet e bashkimit Evropian. Mendoj që kjo do të sjellë një përmirësim të jashtëzakonshëm të marrëdhënieve të biznesit me sistemin fiskal në Shqipëri.”

Përfitues nga ngritja e gjykatës Administrative nuk do të jenë vetëm bizneset, por edhe institucionet dhe individët. Puna për hartimin e Projektligjit të gjykatës administrative nisi rreth dy vjet më parë me kërkesën e biznesit vendas. USAID është shprehur se do të mbështesë ngritjen e saj, pasi parlamenti ta miratoje ligjin. Përpjekjet për kalimin e këtij ligji në parlament u intensifikuan më shumë Pranverën e këtij viti, por drafti ligjor i cili kërkon 84 vota për miratim, nuk mundi të merrte kartonët e duhur pasi opozita braktisi votimin./tvklan.al