Biznesi vendas këmbëngul në ngritjen e Gjykatës Administrative, e cila po mbahet peng nga mungesa e kartonëve në parlament.

Të grupuar një koalicion përfaqësues të bizneseve kryesore në vend vazhdojnë ti bëjnë thirrje opozitës t’i japë kontribut në zgjidhjen e ngërçit për krijimin sa më parë të Gjykatës Administrative.

Gjergj Buxhuku: “Procesi i ndërtimit dhe funksionimit të Gjykatës Administrative mund të themi me keqardhje që është përsëri në pikën që ka qenë më përpara, pothuajse gati një viti, sepse praktikisht pavarësisht se projektligji është gati është i bllokuar për arsye të mungesa të numrave të mjaftueshëm në Kuvendin e Shqipërisë”.

Floreta Luli-Faber: “Në momentin e përshtatshëm do thoja kur neve të shikojmë që kemi mundësi të kemi 84 vota në parlament, ky peticion t’i dorëzohet të gjitha kryetarëve të grupeve të partive që përfaqësohen në parlament dhe t’i çohet një kopje të gjithë deputetëve të parlamentit”.

Krijimi i një sistemi modern të gjykatave do të mundësojë zgjidhjen e drejtë dhe efektive të mosmarrëveshjeve administrative.

Ilir Zhilla: “Vetëm fakti që sot nëpër gjykata janë mbi 400 milion dollar mosmarrëveshje midis biznesit dhe administratës shtetërore, flet për domosdoshmërinë dhe nevojën e madhe që ka miratimi dhe implementimi sa më shpejtë I këtij ligji”.

Rreth një vit më parë shoqatat e biznesit filluan një fushatë sensibilizuese për t’i hapur dritën jeshile miratimit të projektligjit të Gjykatës Administrative, që megjithëse shkoi në parlament para 29 qershorit të kaluar, votimi u braktis nga opozita./tvklan.al