Inkursioni ukrainas në territorin e Rusisë hyri në ditën e katërt me një rezultat surprizë. Trupat ukrainase vijuan të zgjerojnë territorin nën kontroll dhe zunë më shumë robër lufte.
Këto janë pamjet e shkatërrimeve që vijnë pas operacionit ukrainas në qytetin e Sudzha. Pamjet satelitore pas luftimeve treguan dëmtimet e mëdha në vendkalimin kufitar midis Ukrainës dhe Rusisë.
Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se në këtë operacion marrim pjesë rreth 1000 trupa ukrainase. Operacioni nisi në orët e para të 6 gushtit me tanke dhe automjete të blinduara, të ndjekura nga ajri me dronë dhe artileri. Mijëra banorë janë larguar nga rajoni, ndërsa është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Luftimet e ashpra u raportuan pranë Sudzha, ku kalon një nyjë e rëndësishme e transportit të gazit natyror rus drejt Ukrainës dhe mandej drejt Europës. Zyrtarët ukrainas thanë se transporti i gazit vijon i papenguar.
Forcat e Sistemeve pa pilot të Ukrainës publikuan një pamje më të qartë të dorëzimit të rojeve kufitare ruse në pikën e kalimit “Sudzha” në rajonin e Kurskut. Numri i përgjithshëm i ushtarëve rusë të dorëzuar gjatë këtij inkursioni ukrainas mbetet i paqartë, por burimet flasim për mbi 300 trupa ushtarake.
Në reagimin e tij të parë për operacionin brenda territorit rus, presidenti Volodymyr Zelenskiy vlerësoi ushtrinë e tij për aftësinë “befasuese” dhe për të arritur rezultate, por nuk iu referua drejtpërdrejt situatës në Kursk.
“Të gjithë mund të shohin se ushtria ukrainase di të befasojë. Dhe di si të arrijë rezultate,” tha ai në një mesazh video.
Ndërsa këshilltari i Zelenykst, Mykhailo Podolyak tha se operacionet ukrainase në “rajonet kufitare ruse” do të përmirësojnë pozicionin e Kievit në çdo bisedim të mundshëm për armëpushim.
Presidenti Vladimir Putin e cilësoi sulmin ukrainas një “provokim të madh” ndërkohë guvernatori rajonal i Kurskut, Alexei Smirnov, tha se mijëra banorë ishin evakuuar.
Zyrtarët perëndimorë janë treguar të përmbajtur në reagimet e tyre ndaj operacionit ukrainas. Si Uashingtoni ashtu edhe aleatët europianë thanë vetëm se Ukraina ka të drejtën e vetëmbrojtjes.
Klan News