Reja i shqetësuar për gjendjen fizike të lojtarëve
Në prag të ndeshjes me Bjellorusinë ajo që shqetëson më shumë trajnerin Edy Reja është forma fizike e lojtarëve. Kampionatet ku aktivizohen Kuqezinjtë nuk kanë filluar ende në dallim nga kundështari.
“Të shohim gjendjen fizike se lojtarët tanë nuk e kanë nisur ende kampionatin, ndërsa Bjellorusia është në mes të aktivitetit. Gjatë javës i kam parë mirë. Nuk di nëse do të mund të përballojmë 90 minuta, por një orë po, shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë”, është shprehurtrajneri i Shqipërisë Edy Reja.
Te skuadra bjelloruse e kanë studiuar Shqipërinë, madje trajneri Mikhail Markhel mendon se Kuqezinjtë do të aplikojnë skemën e tyre të zakonshme.
“Ne morëm në konsideratë ndeshjet e fundit të kombëtares shqiptare. Ka kaluar një periudhë mjaft e gjatë, por shqiptarët gjithmonë kanë luajtur sipas të njëjtës skemë dhe mendoj se do t’i përmbahen asaj në takimin e tyre me ne. Ne gjithashtu kishim kohë të mjaftueshme për të studiuar kundërshtarin dhe për të ndërtuar taktikat dhe strategjinë tonë”, është shprehur Mikhail Markhel.
Ndeshja me Bjellorusinë që do të nisë sot në orën 20:45 në Minsk do të jetë starti në këtë sezon të Ligës së Kombeve. Shqipëria ka në grup edhe Lituaninë dhe Kazakistanin. Kjo do të jetë ndeshja e gjashtë e Kombëtares tonë me Bjellorusinë. Shqipëria ka fituar 1 herë, ka barazuar 2 dhe humbur po 2.
Tv Klan