Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Lulzim Basha, ka akuzuar Edi Ramën, se modeli i tij prej gati dhjetë vjetësh në pushtet është ai i shërbimit të një klientele të ngushtë.

Në takimet me banorë të komunave Përparim, Gjocaj dhe Karinë ministri Basha tha se pasurimi i tij dhe një grupi biznesmenësh ka qenë në qendër të modelit qeverisës të Ramës, model që ai kërkon ta shtrijë në të gjithë Shqipërinë.

Lulzim Basha: “Edhe zoti Rama e ka një model, një model më shumë se 10-vjeçar pa ndërprerje në krye të pushtetit. Cili është ky model? Ky është modeli i një klientele të ngushtë njerëzish, të cilët në abuzim dhe korruptim të plotë të pushtetit vjelin djersën, mundin, frytet e shqiptarëve nëpërmjet hinkës së pushtetit dhe e kanalizojnë ata në xhepat e zotit Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Përtej të majtës dhe të djathtës, anash të majtës dhe të djathtës. Nuk ka të bëjë as me të majtën as me të djathtën, por ka të bëjë vetëm me një grusht biznesmenësh, të cilët e kanë përdorur Ramën deri më sot në krye të Tiranës për interesat e tyre korruptive dhe që shpresojnë që prej 28 Qershorit interesat korruptive t’i shtrijnë në të gjithë Shqipërinë.”

Ky model i Edi Ramës, tha Basha, tenton të shtrohet si një alternativë përballë një ndryshimi të ofruar nga mazhoranca përmes shkollave të reja, rrugëve të ndërtuara dhe të asfaltuara, rritjes së pagave e pensioneve, integrimit në NATO dhe së shpejti liberalizimit të plotë të vizave me Bashkimin Evropian./tvklan.al