Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite u prit nga mbreti Abdullah bin Abdulaziz Al Saud dhe Ministri i Jashtëm saudit, princi Saud Al Faisal bin Abdulaziz Al Saud.
Në takimin e tij me kryediplomatin Basha mbreti Abdullah vlerësoi pozitivisht arritjet e Shqipërisë dhe shprehu vullnetin për t’i forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në fokusin e bisedimeve mes Ministrit të Jashtëm, Basha, dhe mbretit saudit, Abdullah, ishin edhe zhvillimet në rajon, ku vëmendje e veçantë iu dha çështjes së Kosovës.
Në prag të përvjetorit të mëvetësisë Riadi zyrtar ofroi mbështetje për Kosovën dhe premtoi se shumë shpejt Arabia Saudite do të njohë pavarësinë e saj.
Gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme saudit, princin Saud Al Faisal bin Abdulaziz Al Saud u theksua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe u shpreh dëshira që këto marrëdhënie të ngrihen në nivelet më të larta.
Lulzim Basha: “Forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Së dyti, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe së treti bashkëpunimi i gjithanshëm dhe mbështetja e gjithanshme për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve jo vetëm midis Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, po në tërësi midis shqiptarëve dhe sauditëve në veçanti dhe botës arabe në tërësi duke përfshirë këtu dhe një ndjeshmëri të lartë ndaj zhvillimeve rajonale të rajonit tonë, siç ka qenë pavarësia e Kosovës”.
Në përfundim të takimit ministri Basha e ftoi homologun e tij saudit për një vizitë në Shqipëri.
Basha zhvilloi takime dhe me përfaqësues të rëndësishëm të biznesit saudit me sekretarin e përgjithshëm të organizatës të konferencës islamike, zv/presidentin e Fondit Saudit të Zhvillimit, zotin Ibrahim Albassam, si dhe me presidentin e Bankës Islamike për Zhvillim, Ahmed Muhamed Ali.
Portofoli i Bankës Islamike për Zhvillim në Shqipëri kap vlerën e rreth 100 milion dollarëve, ku përfshihet dhe financimi prej afro 40 milion dollarësh i segmentit Kalimash-Rexhepaj, pjesë e rrugës Durrës-Kukës.
Në fokusin e këtyre takimeve ishte nxitja e investimeve dhe aktiviteti tregtar mes dy vendeve, si dhe financimi i projekteve të ndryshme.
Kryediplomati shqiptar pati një takim të veçantë me miliarderin e njohur saudit, princin Waleed bin Talal.
Në këtë takim ministri Basha informoi investitorin e njohur mbi zhvillimet dhe progresin që Shqipëria ka arritur vitet e fundit dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare në mbështetje të projekteve dhe investimeve që investitori i njohur do të realizojë në Shqipëri.
Vizita e ministrit Basha në Arabinë Saudite u përcoll me interes të veçantë në median e shkruar dhe elektronike vendase, e cila e pasqyroi atë gjerësisht./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle