Trajneri i Anglisë Gareth Southgate është në një dilemë të madhe përpara takimit gjysmëfinal kundër Holandës. “Tre luanët” përballen me “tulipanët” në mbrëmjen e së mërkurës, por ai që nuk ka realizuar pritshmëritë është lojtari i Bayern Mynihut Harry Kane.
Sulmuesi 30 vjeçar u zëvendësua në kohën shtesë në përballjen çerekfinale ndaj “helvetëve”, pas një paraqitjeje të dobët ku ai e pati të vështirë të përshihej në lojë.
Në 109 minuta ai realizoi vetëm tetë pasime, e vetëm një prej tyre ishte në afërsi të portës kundërshtare. Brenda zonës së rreptë të Zvicrës ai bëri vetëm 4 prekje të topit, duke marrë kritika për faktin se nuk u lidh me Bukajo Saka, që e furnizonte me topa.
Tabloidi anglez “The Sun” shkruan se tekniku Southgate duhet të shijojë alternativa të tjera si Ivan Toney dhe Ollie Ëatkins, ndërsa të shumtë janë kritikët që kërkojnë nga kapiteni i “tre luanëve” të bëjë punën e tij në fushë e të mos luajë i tërhequr.
Në pesë takime të zhvilluara në Euro 2024, Kane ka shënuar 2 herë, ka qenë i përfshirë në 4 raste goli, nuk ka dhënë asnjë asist, ka gjuatur 4 herë portën dhe ka kryer në total 69 pasime.
Klan News