Luna Methasani është vajza që tashmë e njohim si një luftëtare të pamposhtur. Vajza e gazetarit Dëfrim Methasani arriti të fitonte mbi kancerin, një lajm i gëzuar për të gjithë. Por Luna nuk ka ardhur për vete në “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Motivi i saj është i ati ndaj të cilit ka ndier gjithnjë përgjegjësinë që duke qenë vajza e madhe, të trashëgonte diçka prej tij, në këtë rast pasionin për sportin. Kur Luna ishte vetëm 3-muajshe, prindërit u transferuan nga Peshkopia në Tiranë dhe jetesa nuk ishte aq e lehtë.

Nga historitë që ajo ka dëgjuar dhe i ndan për herë të parë me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ardhja në Tiranë e përballi Dëfrim Methasanin me paragjykime për prejardhjen, me kushte të vështira ekonomike dhe marrjen e punëve të tjera që s’lidheshin me profesionin e tij vetëm e vetëm për t’i siguruar familjes gjithçka që i duhej.

Luna Methasani: Im atë kur ka nisur fillimet e tij në Radio Televizionin Shqiptar, shpeshherë edhe është bullizuar, është quajtur si “malok”, “erdhi ky maloku nga veriu të na zërë vendin këtu”. Madje më ka treguar që kronikat e para i ka shkruar në trotuarin përballë Radio Televizionit Shqiptar sepse nuk e mendonin, jo për aftësinë e tij profesionale, por vetëm për faktin që vinte nga veriu, nuk e mendonin të denjë mjaftueshëm për të qenë aty dhe për të konkurruar me emra të njohur të televizionit.

Ardit Gjebrea: E di si është puna? Unë mendoj që aftësitë e dikujt duken që në momentin e parë për ata që kuptojnë kështu që babi yt duke qenë një super gazetar, nuk do të duhej kohë dhe kështu që të gjithë ata që kishin probleme le të themi me prejardhjen e tij, kam përshtypjen që problemet ishin në mendësinë e tyre sepse babi ne e dimë se kush është babi yt.

Luna Methasani: Po, falë punës së tij të jashtëzakonshme në fakt i ka bërë vendin vetes kudo dhe ai është shumë modest, Ardit.

Ardit Gjebrea: Ku keni banuar ju kur erdhët në Tiranë?

Luna Methasani: Në fakt nuk jemi transferuar direkt në Tiranë, por në një fshat të Tiranës, në Pezë ku për kushtet ekonomike që ishin atëherë dhe për faktin që prindërit bashkë me gjyshërit, por edhe hallën me xhaxhain të cilët nuk ishin martuar në atë kohë, transferohen aty për shkak të kushteve ekonomike. Ishte shumë e vështirë dhe babi detyrohej ta bënte rrugën nga Peza për në Radio Televizionin Shqiptar me biçikletë.

Ardit Gjebrea: Çdo ditë?

Luna Methasani: Çdo ditë. Ajo që më dhemb më shumë për babin është fakti që është detyruar të punojë 2-3 punë të ndryshme. Pra krahas emrit shumë të madh që mund të bëjë si një gazetar, pavarësisht se në fillimet e tij do të ruajë atë figurën e tij të gazetarit, ai nuk ka ngurruar asnjëherë të bëjë edhe punë të thjeshtë. Ka punuar edhe roje natën, ka punuar edhe kameraman nëpër dasma vetëm për të mundësuar të gjitha kushtet ekonomike për familjen./tvklan.al