Qytetarët e Lushnjës vijojnë të furnizohen me ujin e burimeve të Konjatit edhe pse nga analizat higjienike ai ka rezultuar me tregues të substancave kancerogjene.
Merçeta Ndreçka: “Amoniak nuk duhet të ketë fare 0 miligram/litër, ne na rezulton 03-05 miligram/litër. Ndërsa nitritet nuk duhet të ketë as në të dhjetë mijtën e miligramit për litër, ne na rezulton deri në një të qindin e miligramit/litër. Janë tregues që ndikojnë në sëmundjet kancerogjene.”
Ky konstatim i Institutit të Higjienës në Lushnje nuk është marrë parasysh nga drejtoria e Ujësjellësit dhe autoritetet vendore. Skandali i bërë publik pak ditë më parë në TV Klan ka krijuar shqetësim tek banoret, një pjesë e të cilëve e kanë përdorur atë për konsum të përditshëm.
“Të kishte dalë dhe t’i kishte thënë popullit që uji nuk pihet dhe ta rregullonin ujin.”
“Vetëm nga televizioni e morëm vesh, asnjë gjë nuk dinim.”
“Ku ta përdor, për çfarë ta përdor unë atë. Ai s’përdoret për asnjë gjë, qysh u përdorka ai. Përkundrazi po e paguajmë dhe trefishin.”
“Përderisa uji i pijshëm ka dalë me probleme atëherë urgjentisht drejtoria e ndërmarrjes duhet të marrë masa me qëllim që të bëjë këtë problem transparent për popullin.”
“Ujin e pijshëm e paguaj çdo muaj, jam e rregullt, por uji nuk është i pijshëm.”
Për të evituar rreziqet banoret detyrohen ta mbushin ujin në burimet më të afërta ose ta blejnë atë në autobotet private të cilët në raste të tilla kthehen në përfituesit më të mëdhenj./tvklan.al
Gazetare: Anila Sefa