Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, funksionimi i shtetit ligjor, por dhe dhënia fund e konfrontimeve midis partive politike, këto janë kushtet që prej vitesh po pengojnë integrimin e vendit tonë në BE. Përfaqësuesi i Komunitet Europian në Shqipëri Lutz Salzmann, ka ripërsëritur gjatë konferencës rajonale “Koordinimi i politikave BE-së në procesin e Stabilizim Asociimit”, se suksesi drejt integrimit do të ishte plotësimi i këtyre kushteve.

Lutz Salzmann: “Pavarësisht progresit, Shqipëria ka ende shumë për të bërë në procesin e integrimit. Nevojitet forcimi i shtetit ligjor, duhet bërë më tepër në fushën e reformave. Ndërkohë partitë politike, duhet t’i japin fund konfrontimeve dhe të gjej sërish mirëkuptimin mes tyre në favor të interesave kombëtare. Por vendimtare për integrimin e Shqipërisë në BE, do të jenë zgjedhjet parlamentare të vitit 2005”.

Sipas Ministres së Integrimit Ermelinda Meksi, koordinimi dhe komunikimi me aktorët që përfshihen në këtë proces integrimi, kërkojnë përgjegjësi funksionale.

Ermelinda Meksi: “Ne në Shqipëri e shikojmë Integrimin Europian, si platformën e vetme të mundshme dhe të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik dhe social dhe agjenda europianizuese, mundëson një motor të fuqishëm, që na çon drejt ndryshimeve dhe reformave që nevojiten aq shumë”.

Në këtë konferencë rajonale, merrnin pjesë të gjithë vendet ballkanike, të cilat janë në procesin e anëtarësimit në BE, për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të prezantuar hapat e hedhura nga të gjitha shtetet në këtë proces./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka