Presidenti francez, Emmanuel Macron mblodhi krerët e të gjitha partive, përveç atyre të ekstremit të djathtë dhe të majtës ekstreme, me të cilët zhvilloi bisedime rreth formimit të një qeverie të re pas rrëzimit të kabinetit Michel Barnier me një mocion mosbesimi javën e kaluar.

Takimi uli për herë të parë në një tryezë liderë të moderuar të krahut të majtë, të gatshëm për kompromis për të zhbllokuar ngërçin politik.

“Ne duam një Kryeministër të krahut të majtë. Macron e ka provuar të djathtën, tani duhet të provojë të majtën”.

Agjencia e lajmeve “Reuters” citon një nga pjesëmarrësit në takim, sipas të cilit, Presidenti Macron është shprehur se do të emërojë një Kryeministër të ri brenda 48 orëve.

Kreu i Elizesë u ka thënë krerëve të partive se shpresonte të shmangte shpërndarjen e Parlamentit përpara përfundimit të mandatit të tij si president në 2027.

Ishte vendimi shumë i kritikuar i Macron për të shpërndarë Parlamentin në Qershor dhe për të organizuar zgjedhje të parakohshme që solli krizën në vend me një Parlament ku asnjëra nga palët nuk ka votat e nevojshme për të krijuar qeverinë.

Në bazë të kushtetutës, nuk mund të ketë zgjedhje të reja përpara Korrikut të vitit të ardhshëm.

Tv Klan