Rama: Sinjal pozitiv, vendimi nuk varet më nga ne
Miratimi i metodologjisë së re të zgjerimit e ka qetësuar Francën përsa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Katër muaj më parë, Presidenti Emannuel Macron votoi kundër rekomandimit të Komisionit Europian për t’i çelur negociatat me dy vendet, duke e vënë theksin tek nevoja e ndryshimit të rregullave që Brukseli kishte vendosur për zgjerimin.
Por pas miratimit të rregullave të reja, shefi i Elizesë tha nga Konferenca për Sigurinë në Mynih se Franca do ta japë votën e saj nëse raporti i Komisionit Europian del me vlerësime positive.
“Ne duhet të shohim se çfarë do të thotë Komisioni sa u përket përparimeve të pritura nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për këtë çështje. Në varësi të kësaj, nëse rezultatet janë pozitive dhe krijohet besim, atëherë ne jemi pro hapjes se negociatave”.
Këtë qëndrim të ri të Francës, Kryeministri Rama e sheh një sinjal pozitiv, por thotë se nuk ka vend për iluzione, pasi ky process, sipas tij, nuk varet vetëm nga Shqipëria.
“Përsa i takon asaj që ju thatë, në fakt unë nuk e ndoqa dot Presidentin sepse isha në takime të tjera, por nga sa munda të lexoj është një sinjal pozitiv. Megjithatë unë dëshiroj që t’ju them të gjithëve që nuk kemi pse e ushqejmë veten me iluzione dhe me dëshira të skajshme, edhe pse shumë legjitime, sepse kjo gjë nuk varet nga ne. Dhe le të presim me durim, ndërkohë që të vazhdojmë të punojmë me këmbëngulje dhe me durim për të realizuar gjërat ashtu siç do t’i realizonim nëse do ishin hapur negociatat”.
Në Tetor të vitit të kaluar, Presidenti Macron i qëndroi deri në fund idese së tij për të mos e vazhduar procesin e zgjerimit derisa të reformohet Bashkimi Europian. I vënë në qendër të kritikave për votën kundër hapjes së negociatave, Macroni nuk la pa ironizuar edhe vendet anëtare që mbështetën hapjen e negociatave.
“Sepse të gjithë ata që thonë le të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vetëm pas disa sekondash, thonë kujdes, sepse ata nuk do të jenë në gjendje të integrohen as për 10 apo 15 vite. Kjo nuk është e arsyeshme, kjo do të thotë të tallesh me njerëzit dhe kjo është hipokrizia kolektive ku jetojmë”.
Ky qëndrim i ri i Macronit vjen përpara samitit të Zagrebit, ku Tirana e Shkupi shpresojnë të marrin një përgjigje pozitive për negociatat. Në samitin e 18 Tetorit të vitit të kaluar, krahas Francës kundër hapjes së negociatave me BE votuan edhe Holanda e Danimarka.
Tv Klan