Pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Michel Barnier, presidenti Emmanuel Macron po përpiqet të gjejë një emër për ta zëvendësuar atë.
Mediat franceze kanë raportuar se Macron po zhvillon takime me aleatë dhe politikanë. Ndër kandidatët që qarkullojnë deri tani është i Francois Bayrou (Fransua Beiru), si një pasardhës i mundshëm i Barnier. Ai është po ashtu një aleat i ngushtë i shefit të Elizesë.
Ministri në largim i Mbrojtjes Sebastien Lecornu( Sebastien Lekorny) gjithashtu është përmendur si një kandidat i mundshëm për postin e kryeministrit.
Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se Macron synon të emërojë një kryeministër të ri para ceremonisë për rihapjen e Katedrales së Notre-Damit që do të mbahet të shtunën dhe ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti i zgjedhur i SHBA-së Donald Trump.
Ndërkohë pas mocionit te mosbesimit janë organizuar protesta edhe nga sindikatat në Francë.
Ata kërkojnë që mos të ndiqen më politikat e Barnier dhe shpresojnë që qeveria e re që pritet të krijohet do të plotësoje kërkesat e tyre.
Kriza politike në Francë do të dobësojë edhe më shumë Bashkimin Evropian, i cili po përballet edhe me shpërbërjen e koalicionit qeverisës në Gjermani pak javë para se Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Klan News