Gaetano Castelli, mjeshtri i skenave të mëdha të Tv Klan mahnit me skenografinë e Sanremos.
Skenat e tij janë art i pastër. Magji, ëndërr, bukuri dhe elegancë. Gjithçka brenda skenografive që përçojnë emocione. Ai është Gaetano Castelli, mjeshtri absolut i cili prej vitesh qëndron pas skenave mahnitëse të programeve në Televizionin Klan.

Këtë vit Castelli ideoi dhe krijoi gjithashtu skenën e madhe të Festivalit të Sanremos në Itali. 81-vjeçari u rikthye për të krijuar skenografinë për Teatrin Ariston, pas 8 vitesh mungesë. Kjo ishte skenografia e tij e 18-të për festivalin më të madh të muzikës italiane.
Mediat italiane e përshkruajnë skenën e mjeshtrit Castelli me “struktura disi baroke, që të sjellin në mendje edicionet e viteve ’90. Është disi rimishërim i stilit të Brodway, por në të njëjtën kohë sheh drejt të ardhmes”.

Ndërsa vetë skenografi Castelli tha: “Zgjedhja ime ishte që të vendosja elementë voluminozë skenografikë, të dizenjuar për të zgjeruar hapësirën e skenës dhe për të përftuar sa më shumë thellësi. Pikërisht në këtë hapësirë, unë e bëj dritën të ‘kërcejë'”.

Prej vitesh, Gaetano Castelli është bashkëpunëtor me ekranin më të madh të trevave shqiptare, Televizionin Kombëtar Klan. Kënga Magjike, E Diela Shqiptare, Dance With Me, Virtuozët, Xing Me Ermalin, X Factor Albania, Duplex e shumë programe të tjera, janë të gjitha skena të cilat mbajnë firmën e Castellit./tvklan.al





