Aplikimi i Shqipërisë si vend kandidat për në Bashkimin Evropian pritet të shqyrtohet brenda vjeshtës së këtij viti.

Optimizmin lidhur me këtë çështje qeveria e lidh me deklarimet e forta të zyrtarëve të lartë të Brukselit në raport me zgjedhjet parlamentare.

Ministrja e Integrimit evropian, Majlinda Bregu, thotë se panoramës së vlerësimeve zyrtare pozitive të Brukselit, që më herët konkluduan në hyrjen në fuqi të MSA-së, i mungonin zgjedhjet, kriteri më i rëndësishëm politik për t’u përmbushur.

Majlinda Bregu: “Pra ky certifikim i rregullsisë së një procesi zgjedhor nuk ka ndodhur asnjëherë në vitet e mëparshme dhe sigurisht që ky ishte një moment kyç tanimë edhe për Evropën për të kuptuar sesa seriozisht Shqipëria plotësonte angazhimet kryesore që vijnë nga procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në këtë le të themi panoramë të përgjithshme pjesa që mungonte në këtë puzzle ishin pikërisht zgjedhjet dhe me këtë proces te konsoliduar zgjedhor të certifikuar nga raporti i OSBE-ODHIR-it ne kemi të gjitha shanset për të progresuar dukshëm, shpejt, ndoshta edhe më shpejt sesa mund të ishin parashikimet në pranverën e këtij viti në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.”

Muaji më i mundshëm për shqyrtimin e kërkesës duket të jetë Tetori. Ministrja për Integrim thotë se procesi jo domosdoshmërish është i lidhur me datën e shpalljes së progres-raportit të Bashkimit Evropian, dokumentit që bën vlerësimin e ecurisë 1-vjeçare të vendit. Progres-raporti i vitit 2009 u publikua në ditët e para të muajit Nëntor.

Majlinda Bregu: “Kjo nuk do të thotë se progres-raporti është i lidhur domosdoshmërish me kërkesën që këshilli mund t’i bëjë komisionit evropian për të përgatitur avinë, pra nuk do të thotë që domosdoshmërish duhet pritur dalja e progres-raportit në mënyrë që këshilli t’i kërkojë komisionit evropian që të përgatisë avinë dhe Shqipërisë i dërgohet, pra mendimin dhe Shqipërisë i dërgohet pyetësori e të tjera me radhë. Ne presim që ky proces të shqyrtohet në vjeshtën e këtij viti. Kjo nuk është një sfidë le të themi ndaj datave dhe kohës, por jemi gati për të përballuar me çfarëdolloj presioni kohor detyrimet qe na vijnë për të përshpejtuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Administrata shqiptare është sot le të themi në sfidën e saj më të madhe. Plotësimi i detyrimeve i kërkuar gjatë gjithë këtyre viteve shumëfishohet tanimë sepse në qoftë se volumi i punës ka qenë deri diku në dhënie-përgjigje nëpër takime, nëpër le të themi nëpër konferenca, nëpër takime të ministrave politik këtë radhë gjithçka përqendrohet tani tek puna e administratës shqiptare, kryesisht për të zbatuar detyrimet.”

Bregu garanton se procesi për shqyrtimin e statusit kandidat nuk do të hasë në asnjë pengesë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Këtu ministrja ka parasysh dhe Gjermaninë, e cila ka një fokusim të madh në çështjet e brendshme, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen në 27 Shtator.

Majlinda Bregu: “Në një situatë zgjedhore, apo një situatë le të themi jo e qetë politikisht brenda vendit, në kuptimin që kanë për të realizuar një proces është një moment, i cili tërheq vëmendjen më së shumti në punët e brendshme të shtëpisë sesa në perspektivën e përgjithshme të zgjerimit, por në të gjitha deklaratat e përfaqësuesve evropiane dhe të kancelares Merkel herë pas here, mbështetja ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në strukturat evropiane ka qenë e plotë, ndaj unë nuk shoh asnjë pengesë, jo vetëm nga Gjermania, të cilën ju e përmendet, por nga asnjë nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian.”

Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat në fund të muajit Prill të këtij viti. Shqyrtimin e kërkesës zyrtare të lartë të Brukselit e lidhën me përfundimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 Qershorit.

Presidenca e radhës e Bashkimit Evropian, Suedia, e ka shprehur publikisht qëndrimin për shqyrtim të kërkesës brenda muajit Tetor të këtij viti./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi