Një aksident tragjik ndodhi pak ditë më parë në qendër të fshatit Pajovë në aksin Elbasan-Peqin. Një automjet me shpejtësi të lartë, këputi në mes jetën e vogëlushit 8-vjeçar Enio Tabaku.
Nisur nga kjo tragjedi, por edhe nga raste të tjera të mëparshme, banorë të zonës u ngritën sot në protestë pranë vendit ku i vogli dha shpirt. Protestës iu bashkuan edhe disa fëmijë të cilët thanë se ndjehen të frikësuar të dalin nga shkolla.
Ata mbanin në duar pankarta me shkrimet “Mbroni jetën e fëmijëve”, “Kufizues bordure në rrugë”, “Na siguroni jetën”, “Të merren masa për kufizimin e shpejtësisë”, etj.
Babai i 8-vjeçarit Enio, Flamur Tabaku, me zërin që i dridhej kërkoi drejtësi për jetën e humbur të të birit.
“Dua që ata që e kanë vrarë, dua ndihmë nga shteti që ata që janë të kalben në burg. Dua të ketë rregull në rrugë që të ulin shpejtësinë, fatin e tij mos e pësoftë asnjë. Këtë dua. Çuni ishte te shtëpia. Do takonte shokët e vet do luanin këtu. Ishte ditë për Halloween. Duke ardhur i ra një makinë mbrapa. S’kam çfarë them më tepër”, tha i ati.
Në mënyrë simbolike banorët e Pajovës bllokuan rrugën dhe kërkuan vendosjen e sinjalistikës që do të kufizonte shpejtësinë dhe do të kthente tek ta qetësinë. Ata u shprehën se kanë qenë dëshmitarë të shumë aksidenteve mjaft prej të cilave me viktima dhe asnjë masë nuk është marrë.
“Kjo rrugë këtu është e papame, janë bërë gjithë këto aksidente. Kam 35 vjet këtu, nuk i numëroj dot sa aksidente janë bërë këtu, të mëdhenj, të vegjël”, tha një banore.
Protestuesit kërkuan që në zonën e banuar të vendosen kufizues shpejtësie dhe të ketë polici në hyrje të rrugës pranë shkollës.
“Ne kërkojmë të mos na vrasin. Të marrë shteti masa. Çfarë të bëjë shteti? Sytë e vet, nuk e di shteti ça duhet të bëjë”, tha një qytetar i revoltuar.
“Shteti duhet të sigurojë jetën e nxënësve. Duhet të vendosë pengesa. Ne këtë kërkojmë. Të kufizohet shpejtësia. Ne nuk kemi qëllime të këqija për asnjëlloj qeverie. Ne kemi qëllime që njerëzit e pafajshëm të mos vriten kot”, tha një tjetër.
Pajova është qendër administrative dhe një zonë e populluar në të dy kahet e saj. Aty pranë ndodhet shkolla, ka shtëpi banimi, kanë aktivitet biznese të ndryshme të cilët çdo ditë jetojnë me frikën e aksidenteve.
Por edhe pse është një zonë e tillë, drejtuesit e automjeteve qarkullojnë me shpejtësi të lartë duke mos respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.
Klan News