Kompania gjermane e automobilëve, BMW ka zgjeruar listën e makinave me naftë që do të tërheqë nga tregu për shkak të një defekti teknik që shkakton zjarr.
Bëhet fjalë për rreth 1.6 milionë automjete në të gjithë botën, nga të cilat së fundmi BMW njoftoi se 268 mijë ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar dhe duhet të tërhiqen nga tregu. Sipas kompanisë, bëhet fjalë për 12 modele që përdorin motora me 4 dhe 6 cilindra të prodhuara midis viteve 2011 dhe 2017.
Këto modele kanë defekt në sistemin ftohës, duke shkaktuar rrjedhje të lëngjeve që mund të çojnë në zjarr.
Ndërkohë, në muajin Gusht BMW njoftoi për 480 mijë modele në Evropë dhe Azi që duhet të tërhiqen nga tregu për të njëjtën çështje. Tashmë BMW po kupton se modelet më të reja të automjeteve që prodhojnë mund të përballen me të njëjtin problem teknik.
Kompania gjermane sqaroi se bëhet fjalë vetëm për automjetet me naftë që preken kjo gjë, dhe janë Serie 1, Serie 2, Serie 3, Serie 4, Serie 5, Serie 6, Serie 7 dhe modelet X1, X3, X4, X5, X6, të gjitha të prodhuara nga viti 2011 deri në vitin 2017.
/tvklan.al