Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit.
Në mesazhin e saj, Ministrja theksoi rëndësinë e edukimit cilësor dhe përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e kushteve në shkolla, duke u fokusuar tek investimet e kryera për të rritur standardet e mësimdhënies.
“350 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollave, ndërsa 28 mijë prej tyre e kalojnë për herë të parë pragun e shkollës”, tha ministrja.
Ministrja vuri në dukje se janë bërë investime të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, duke përfshirë ndërtimin dhe rikonstruktimin e 100 shkollave dhe objekteve të tjera arsimore gjatë vitit 2024.
“25 shkolla të reja kanë hapur dyert e tyre sot, duke mirëpritur rreth 10 mijë nxënës dhe mësues.”
Një tjetër fokus i rëndësishëm është përfshirja e teknologjisë dhe inovacionit në arsim.
“Kemi investuar në 200 shkollave me 216 laboratorë SMART, ku rreth 35 mijë nxënës do të përfitojnë nga programet e reja të TIK dhe programimit.”
Ministrja vuri theksin te rritja e pagave për mbi 30 mijë mësues dhe përpjekjet për zhvillimin e tyre profesional përmes trajnimeve falas, me synim për të përfshirë 16 mijë mësues në Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional.
Manastirliu gjithashtu përmendi zgjerimin e mbështetjes për nxënësit me aftësi të veçanta, duke rritur numrin e mësuesve ndihmës në 2100, si dhe investimet në terrene sportive dhe palestra, për të promovuar një stil jetese të shëndetshëm për të gjithë nxënësit.
Në përfundim, Ministrja Manastirliu uroi suksese për të gjithë nxënësit dhe mësuesit në këtë rrugëtim të ri arsimor, duke shprehur mbështetjen e plotë të qeverisë për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës./tvklan.al