Manastirliu: Nga Shtatori i dyfishojmë, shtohen dhe ekipet në terren
Shqipëria ka ndryshuar strategjinë e menaxhimit të situatës së Covid-19 duke vendosur të dyfishojë testimet e popullsisë gjatë periudhës vjeshtë dhe dimër si dhe do të shtojë numrin e ekipeve në terren që kryejnë testet dhe kapacitetet laboratorike.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se strategjia e re do të nisë të aplikohet që prej muajit të ardhshëm.
“Në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të mbulimit me teste, po punohet që nga Shtatori të realizohet dyfishimi i testimeve. Do të zgjerohen kapacitetet, me pajisje të reja. Jo vetëm do të rrisim kapacitetet në disa laboratorë publikë në vend, por edhe në bashkëpunim me sektorin jopublik”, tha Manastirliu.
Njëkohësisht me strategjinë e rritjes së testeve, në prag të periudhës së dimrit do të bëhet edhe vaksinimi falas kundër gripit stinor të shtresave vulnerabël.
“Pjesë e strategjisë së vjeshtë-dimrit është edhe shumëfishimi i vaksinave falas kundër gripit, për të mbuluar të gjithë grupet e riskuara, të përcaktuara nga ekspertët e ISHP, që nga personeli shëndetësor, tek të moshuarit, edukatorët, arsimtarët, fëmijët 2-5 vjeç, etj, me vaksinën e gripit falas”.
Aktualisht ekipet mjekësore në Shqipëri janë duke kryer rreth 600 testime në ditë, ndërsa në bazë të strategjisë së re prej Shtatorit pritet që ky numër të shkojë në 1200.
Tv Klan