Në dekadën e fundit, më shumë se 300 mijë banorë të provincës Henan në Kinë u infektuan me një virus të cili nuk i vinin emër. E para që ekspozoi hapur “skandalin” ishte një gjinekologe në pension e quajtur Dr. Gao Yaojie.
Shumë kohë para së okulisti Li Wenliang të ‘alarmonte’ qytetarët për Covid-19 në fillim të vitit 2020, Dr.Gao ishte personazhi më i njohur në Kinë për informacione të tilla. Vendimi i saj për ta deklaruar publikisht burimin e përhapjes së SIDA-s në Kinë para 14 vitesh e bëri atë tejet të besueshme.
Por çfarë thuhet për Gao-n?
Fatkeqësisht ajo ka ndërruar jetë Dhjetorin e shkuar. Pavarësisht se iu kundërvunë autoritetet zyrtare, populli kinez u pikëllua thellë për humbjen e saj.
Nga një person me rëndësi kombëtare, te një e persekutuar! Një fakt që tregon se sa i pamëshirshëm është Pekini.
“Gjithçka që donte ishte liria për të folur, për t’i thënë të gjithë botës të vërtetën pas epidemisë së SIDA-s në Kinë dhe për të mbajtur një rekord historik,” tha ish-gazetari Lin Shiyu, i cili redaktoi shumicën e librave të botuar nga Gao ndërsa ishte në SHBA. “Kjo ishte arsyeja pse ajo u largua nga Kina.”
Ajo nuk ishte një ‘spiune’ dhe nuk kishte lidhje me aktivistët. Ishte thjesht një grua me karrierë të suksesshme në fushën e saj, që u alarmua kur pa pacientë pafund me tumor nëpër spitale. Bazuar te simptomat, ajo kishte dyshuar që atëherë se bëhej fjalë për HIV, por nuk e kuptonte pse këta persona nuk diagnostikoheshin si të prekur nga SIDA.
Lufta e Gao-s për të nxjerrë në pah të vërtetën, i kushtoi shumë. Asaj iu caktua masa e arrestit në shtëpi në vitin 2007, por me ndërhyrjen e ministrit të Shëndetësisë u bë e mundur që ajo të lirohej për të udhëtuar në SHBA, ku do të merrte një çmim.
“Si mjeke nuk mund të bëja një sy qorr. Kisha përgjegjësinë të bëja gjithçka që mundja për të parandaluar përhapjen e asaj epidemie. Megjithatë, në atë kohë, unë nuk isha në dijeni të dëshirës së pakuptueshme nga autoritetet për përhapjen e këtij virusi. Cili ishte qëllimi?” Kështu shkruan Gao në librin e saj me kujtime të 2008-ës të titulluar “Shpirti i Gao Yaojie”.
Shumë shpejt, ajo zbuloi se tregtia e plazmës, veçanërisht e përhapur në zonat rurale ku fshatarët e varfër kishin nevojë të plotësonin të ardhurat e tyre ishte bërë një ‘vektor’ për përhapjen e SIDA-s.
Sapo Pekini ndaloi shumicën e produkteve të importuara të gjakut, pjesë e përpjekjes së tij për ta cilësuar virusin si me origjinë “të huaj”, ishin edhe firmat farmaceutike të cilat e përkeqësuan problemin.
Edhe Kryqi i Kuq Kinez apo spitalet në përgjithësi iu futën këtij biznesi. Zyrtarët lokalë u thanë fshatarëve se shitja e plazmës ishte e mirë për shëndetin e tyre. Shumë ishin të infektuar me HIV sepse gjilpërat e pista ripërdoreshin në mënyrë të përditshme për të marrë gjak. Gjysma e 3000 fshatarëve në një qark në provincën Henan ia dilnin të jetonin me paratë e dhënies së gjakut në atë kohë, ndërkohë që 800 prej tyre u infektuan.
Pas turneut të saj të librit në Hong Kong në vitin 2008, zyrtarët shtuan mbikëqyrjen e tyre dhe madje nuk e lejuan atë të takojë familjarët. Disa muaj më vonë, Gao u arratis vetëm me një matës të presionit të gjakut dhe një dosje që kishte të dhëna e foto pacientësh. 81 vjeç në këtë kohë, Gao ishte ndër personat më të moshuar të larguar në atë formë prej vendlindjes. Por këtë vit rekordi është thyer nga ekonomisti i njohur Mao Yushi. I njohur për përkrahjen e tij ndaj reformave të tregut, 95 vjeçari e ka festuar ditëlindjen e tij në Vankuver të Kanadasë, pasi është detyruar të lërë Kinën.
Gao vazhdoi të shkruante libra deri në ditët e saj të fundit. Ajo rrëfente herë pas here se gjithë qëllimi i saj ishte të ndihmonte njerëzit, të ndihej e dobishme. Edhe pse SHBA-në nuk e shihte si parajsën e ëndërruar, ajo shprehej se ishte vendi që e shpëtoi. “Nëse nuk do kisha ikur nga Kina, nuk do e kisha kapur këtë moshë”, mësohet të ketë thënë Gao.
Ajo ka marrë vlerësimë në tërë botën dhe shumë media e kanë mbuluar punën e saj pavarësisht përpjekjeve të zyrtarëve kinezë për ta ndaluar atë.
“Proces terësisht i kontrolluar”
Edhe pse e drejta për të denoncuar dëmin ndaj qytetarëve apo abuzimin e pushtetit është e mbrojtur me Kushtetutën e parë të Kinës (që prej 1954-ës), kufijtë u përcaktuan qartë për Gao-n.
Denoncime të tilla nuk shkojnë kurrë në fund pasi procesi kontrollohet plotësisht nga autoritetet qeveritare.
Edhe një avokat i quajtur Dr.Wan Yahnhai u prangos në 2002-in pasi shpërndau një dokument sekret qeveritar ku faktoheshin mbi 170 vdekje të lidhura me SIDA-n.
E në fakt edhe pandemia e Covid që preku gjithë botën, mbetet një mister i pazgjidhur sa i takon ‘burimit’.
Sipas shifrave më të fundit të OBSH, në të gjithë globin, më shumë se 7 milionë njerëz kanë vdekur nga virusi që u shfaq për herë të parë në Wuhan në fund të vitit 2019.
Duket sikur Pekini është akoma fanatik i ideologjisë komuniste dhe e konsideron mënyrën e qeverisjes si më të mirën në botë. E pas kësaj ideologjie, fshihen shumë mistere të cilat sado koha kalon, nuk dalin në dritë…
E.D/tvklan.al