Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka zbuluar disa nga projektet e rëndësishme që priten të realizohen këto tre vite në kryeqytet. Gjatë një interviste në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, kryebashkiaku Veliaj theksoi se shkollat janë një nga projektet për të cilat ai ndihet krenar më shumë, pavarësisht se Tirana ka njohur një sërë investimesh të tjera.

“Në gjithë këtë rrugëtim, një nga gjërat që jam më shumë krenar është se i kemi dedikuar shumë energji dhe financa fëmijëve. Shkollat kanë qenë të rëndësishme. Ndërtimi i një shkolle është një akupunturë në trupin e qytetit, që nuk mbledh vetëm fëmijët për 6 orë, por është vërtet graviteti moral i qytetit tonë. Ndaj, fakti që kemi hapur rreth 40 shkolla – sigurisht që do mbetet Pazari, Liqeni, Bulevardi ynë, – por unë besoj se gjëja që jam më shumë krenar është që një varg shkollash në gjithë qytetin kanë krijuar qendra ekselence të jashtëzakonshme, ku fëmijët kanë mësuar edhe kodim.

Përveç Astirit është Liqeni i Thatë, është Sauku. Tani jemi gati të fillojmë te Astiri, me dy shkolla aty, në të dy anët e Lanës, – pra edhe nga Njësia 7, ku ne po përgatitemi për zgjatjen e Lanës nga Pallati me Shigjeta deri në Fushë Mëzez. Ndërkohë, dy shkolla të tjera do jenë njëra te Liqeni i Thatë, ngjitur me Kopshtin Botanik, ku është një tokë bashkie, dhe një te Parku Olimpik. Dy të fundit, një te ish Spitali i Arabit dhe një tek Akademia e Policisë. Le të themi se aty mbyllim gjithë këtë paketë dhe mund ta quaj mision të kryer”, u shpreh ai.

Veliaj u ndal dhe te projekti i linjave të shpejta të autobusëve në kryeqytet.

Ka të bëjë me një zgjidhje inteligjente, interesante, që e kanë bërë shumë qytete që s’e kanë mundësi për të bërë një tram apo tren elektrik. Për sa kohë që nuk jemi ende në Bashkimin Europian, subvencione të kësaj natyre janë ende të pamundura. Ajo që shumë qytete kanë bërë është metroja mbi goma, pra jo mbi shina, ku praktikisht ti i sposton linjat e autobusëve jo në periferi të rrugës, por në qendër të rrugës. Praktikisht aty ndërton disa stacione që funksionojnë si stacione metroje. Linja është e dedikuar dhe e pandërprerë. Janë tre linja, linja e Unazës së Madhe, linja e Kinostudio-Kombinat dhe Tirana e Re. Me këto tre linja është rreth 70 për qind e volumit të njerëzve që lëviz me autobus. Duam të shkojmë nga një mesatare prej 54 minutash në 27 minuta dhe duam të shkojmë nga 9 mijë pasagjerë në 27 mijë. Pra gjysma e kohës dhe trefishi i pasagjerëve”, shpjegoi Veliaj.

Krue i Bashkisë foli dhe mbi zhvillimin e Bulevardit të Ri.

“Tirana e Re realisht do të jetë pjesa e Bulevardit të Ri. Aty do të jetë bashkia e re. Është përcaktuar toka, aty do jetë bashkia flas për administratën. Atu është planifikuar një qendër tjetër kongresesh. Në këto 10 vite çdo njeriu i është rritur prona 2.5-3 herë vlera e pronës. Shumë prej këtyre samiteve, koncerteve, automatikisht rrisin reputacionin e qytetit. Unë besoj se Tirana bumin e vërtetë do e ketë këtë vit. Deri tani kemi 40% të rritjes së rezervimeve në hotele se sa vjet”, theksoi Veliaj./tvklan.al