Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën për deklarimin e mbarimit të mandatit të kryetares Holta Zaçaj. Shkak është bërë njohja e kryetares në detyrë Zaçaj me dokumentet e dërguara nga Gjykata e Lartë, për të cilën duhet të japë dhe një opinion me shkrim.
“Gjykata administroi praktikën dokumentare të Gjykatës së Lartë, që ka shoqëruar procedurën për plotësimin e vendit vakant dhe zgjedhjen e zonjës Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, si dhe njoftimin e Kryetarit të asaj gjykate për hapjen e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese Gjykata vlerësoi që aktet në fjalë t’i komunikohen gjyqtares Zaçaj, e cila ka vënë në lëvizje këtë proces, me qëllimin për t’u njohur dhe për të vlerësuar paraqitjen e një opinioni me shkrim në lidhje me to”.
Për këtë arsye, gjykata do të shprehet të martën në orën 13:00 për sa i përket deklarimit të mbarimit të mandatit të Holta Zaçaj. Ishte Gjykata e Lartë që pak ditë më parë deklaroi hapjen e garës për vakancën e Zaçajt, proces që mbyllet në 11 janar të 2025-ës. Këtë hap të Gjykatës së Lartë, Holta Zaçaj nëpërmjet një reagimi publik e cilësoi si antikushtetuese dhe sipas saj Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e lirë në vendimmarrje nga presionet politike dhe mediatike që të kryejë funksionet e saj si rojtare e parimeve kushtetuese. Kundërshtinë për mandatin e saj, Zaçaj më herët vendosi ta dërgonte në Komisionin e Venecias.
Zaçaj pretendon se ajo është zgjedhur në një detyrë me mandat 9-vjeçar dhe jo në vend të ish-kryetares Vitore Tusha. Sipas saj mandati i mbaron në fund të vitit 2025 dhe jo në mars të vitit të ardhshëm.
Klan News