Gjykata Kushtetuese (GJK) ka votuar për mbarimin e mandatit të kryetares Holta Zaçaj. Ky vendim i ka dhënë fund ngërçit ligjor mes këtij institucioni dhe Gjykatës së Lartë, e cila ka hapur garën për zëvendësimin e saj.
“Në përfundim Gjykata, me shumicë votash, vendosi: “ Deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Holta Zaçaj, në datën 10.03.2025”, thuhet në njoftimin e GJK.
Gjykata Kushtetuese thotë se ky vendim nuk ndikon në procedurat e nisura nga Gjykata e Lartë, edhe pse hapi garën pa u shpallur vakanca në Kushtetuese.
“Gjykata, duke mbajtur në konsideratë se Gjykata e Lartë ka hapur në datën 11.12.2024 procedurën për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, duke llogaritur si datë të mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj datën 10.03.2025, si dhe duke pasur parasysh se kjo Gjykatë arriti në të njëjtin përfundim në lidhje me datën e mbarimit të mandatit të kësaj gjyqtareje, vlerësoi se vendimi i saj nuk ndikon në procedurën e vënë në lëvizje nga Gjykata e Lartë”, thotë më tej GJK.
Holta Zaçaj, edhe pse iu drejtua kolegëve të Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur për përfundimin e mandatit, pretendonte se ajo duhet të ishte në këtë detyrë deri në fund të vitit tjetër dhe jo në mars. Më herët ajo i kërkoi dhe Venecias një opinion mandatin e saj.
Klan News