Pas shpalljes së vakancës për mandatin e saj nga Gjykata e Lartë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka bërë një hap pas dhe i ka kërkuar mbledhjes së gjyqtarëve deklarimin e përfundimit të mandatit të saj.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat ajo bën të ditur se gjyqtarët kushtetues nuk arritën dot në një vendimmarrje për këtë çështje, ndaj dhe vendosën ta shtyjnë mbledhjen për një ditë tjetër.

Pavarësisht kësaj, Holta Zaçaj thotë në deklaratën e saj se vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë për të shpallur vakancën për mandatin e saj ishte tejkalim kompetencash dhe vendim i paprecedentë.

“Shpallja e vendit vakant nga Gjykata e Lartë, pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese e ka zhveshur këtë të fundit nga kompetenca kushtetuese, veprim ky i paprecedent dhe i marrë me një urgjencë të pajustifikuar nga interesi publik apo forcë madhore, për të cilën të kërkohej ndërhyrje e menjëhershme”.

Gjithashtu ajo këmbëngul se Gjykata e Lartë ka gabuar edhe për faktin se përfundimin e mandatit të saj e lidh me mandatin që ka patur ish-gjyqtarja Vitore Tusha.

Zaçaj thotë se ajo nuk është gjyqtare zëvendësuese e gjyqtares Vitore Tusha, por është zgjedhur në këtë detyrë me një mandate të ri të kufizuar deri në vitin 2025 për të bërë të mundur ripërtëritjen e plotë të këtij institucioni.

Për këtë arsye, më datë 10 Dhjetor Zaçaj njoftoi se i është drejtuar Komisionit të Venecias për opinion për interpretimin e mbarimit të mandatit të saj.

Tv Klan