Ish-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, është emëruar të martën zëvendëssekretare e Përgjithshme e NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake. NATO-ja tha se shefi i aleancës, Mark Rutte, vendosi ta emërojë Shekerinskan si zëvendëssekretare të ardhshme.

“Kam kënaqësinë të njoftoj emërim e Radmila Shekerinska si zëvendëssekretare të Përgjithshme. Ajo beson vërtet në NATO, e di punën që nevojitet për të qenë pjesë e aleancës, dhe çfarë do të thotë të jesh anëtar i plotë”, tha Rutte.

Shekerinska do ta marrë zyrtarisht detyrën e re në fund të këtij viti. Ajo ka shërbyer në të kaluarën si zëvendësministre për Integrim Evropian dhe ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë, përfshirë gjatë kohës kur vendi i saj iu bashkua aleancës së NATO-s më 2020.

Shekerinska do ta zëvendësojë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm në detyrë, Boris Ruge, i cili e mori këtë pozitë përkohësisht në fillim të vjeshtës, pasi zëvendëssekretari i atëhershëm, Mircea Geoana njoftoi se do të garonte për president të Rumanisë.

Disa zyrtarë të NATO-s, të cilët folën me kusht që të mbeteshin anonimë, thanë për Radion Evropa e Lirë se ekzistonte një dëshirë e fortë që këtë pozitë ta merrte dikush nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe ajo t’i takonte një gruaje.

Ndër kandidatët e tjerë ishin ish-ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Maria Gabriel, ish-presidentja e Kroacisë, Kollinda Grabar-Kitaroviç, dhe Olivera Injac, e cila ishte ministre e Mbrojtjes në Malin e Zi nga viti 2020 deri në vitin 2022.

Shekerinska do të jetë zyrtarja më e lartë e NATO-s nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, jashtë Bashkimit Evropian. Aktualisht, ajo është nënkryetare e Partisë së Socialistëve Evropianë.

Roli kryesor i zëvendësit të sekretarit të Përgjithshëm është ta zëvendësojë kreun dhe t’i kryesojë takimet e 32 ambasadorëve në Këshillin Veri-Atlantik dy herë në javë, ose në çdo takim urgjent, përfshirë edhe Këshillin NATO-Ukrainë./REL