Një vendim i çuditshëm i qeverisë së Maqedonisë për të ndërtuar kishë ortodokse maqedonase në themelet e shtëpisë ku ka lindur humanistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, ka shqetësuar jo vetëm shqiptarët në Maqedoni, por dhe instancat më të larta kulturore si në Shqipëri po ashtu dhe në Kosovë.

Ministri kosovar i Kulturës Valton Beqiri, në një deklaratë ekskluzive për TV Klan e ka vlerësuar si vendim jo të mirë i cili nuk përkon me masat planetare të figurës së Nënë Terezë.

Valton Beqiri: “Për sa i përket një vendimi të cilët ju e përmendët rreth ndërtimit të kishës ortodokse në vendin ku ka qenë shtëpia e Nënës Terezë. Unë mendoj që do të ishte një vendim i gabueshëm, që Nëna Terezë nuk i përket vetëm shqiptarëve, ai i përket gjithë njerëzimit, posaçërisht që një kohe të saj pra ka jetuar edhe në Shkup, prandaj mendoj se do të ishte një vendim i gabueshëm”.

Shqetësimin e vet për një vendim të këtillë e ka shprehur edhe sekretari i përgjithshëm në Ministrinë shqiptare të kulturës Fisnik Brovina, i cili ka apeluar tek autoritet zyrtare në Shkup që të tërheqin këtë vendim.

Fisnik Brovina: “Unë personalisht mendoj që vetë qeveria maqedonase do ta rishikoj vendimin pasi në frymën e mirëkuptimit të dialogut multikultural dhe të multikulturalizmit që qeveria maqedonase promovon vendin e tij, do ta rishikojë. Jam i bindur që do ta rishikoj vendimin”.

Isen Saliu: “Ky është vendi në sheshin qendrorë në Shkup, ku kanë qenë themelet e shtëpisë në të cilën ka lindur Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nëna Terezë. Mirëpo me një vendim të çuditshëm të qeverisë në Shkup, shtëpia përkujtimore kushtuar Nënës Terezë është ndërtuar 100 metra larg këtij vendi. Kurse në këtë vend do të ndërtohet një kishë ortodokse maqedonase”.

Beqiri dhe Dobjani kanë marrë pjesë në një konferencë kulturore në Shkup, e cila ka rënë nën  hijen e disa skandaleve. Ambasadorja greke në Shkup e ka lëshuar konferencën për shkak të përdorimit të emrit kushtetues të Maqedonisë. Ndërkaq në kërkesë të përfaqësuesve të UNESCO-s të cilët kanë qenë prezent në konferencë, organizatorët kanë kërkuar që flamuri kosovar të mos qëndrojë para pjesëmarrësve për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo kërkesë nuk është plotësuar sepse është refuzuar nga përfaqësuesit kosovar, por edhe nga përfaqësuesit e Shqipërisë./tvklan.al

Nga Shkupi për TV klan Isen Saliu