Tmerri i tërmetit të sotëm katastrofal në Itali, është ndjerë edhe në trevat shqiptare në Maqedoni. Ende pa zbardh mirë drita, disa nga familjet e rrethinave të Gostivarit dhe Tetovës prej ku ka mijëra mërgimtarë shqiptarë në Itali, kanë marrë lajmin e kobshëm për vdekjen e familjarëve të tyre Alena Aruli 11-vjeçare, Valbona Osmanin, 13-vjeçare, Refik dhe Xhemal Hasani 44 dhe 45-vjeçar dhe Nurie Avdiu, 41-vjeçare që janë 5 viktimat e këtij tërmeti nga Maqedonia.

Ja si e përshkruan marrjen e lajmit tragjik xhaxhai i Valbonës, Fermin Osmani, i cili po ashtu jeton në Castelanova të Italisë. Por para 3 ditëve është kthyer në fshatin e lindjes për të vizituar familjen.

Fermin Osmani: “Është një tragjedi që s’di si ta përshkruaj se jemi afër 50 e kusur familjarë atje. Keq janë lindu, po jo të lëndohet mendoj pak, dikush në kokë, dikush.. se vetëm një motër që kam ajo është pak më tepër. Kishte ra plloças dhe e kish zonë Valbonën. Mbas 2 orë e gjys e kanë gjet, e gjallë, e transferojnë me helikopter deri në spital, mbas 1 ore në spital ndërron jetë”.

Gjyshja  e Valbonës nuk mund të thotë asnjë fjalë, për shkak se ende është nën ndikim të barnave për qetësim të marra pas lajmit tragjik. Lajmin tragjik rëndë e ka përjetuar dhe kushërira e Valbonës.

“S’di më shumë, shumë keq”.

Isen Saliu: “Vdekja e Valbonës ka tronditur jo vetëm familjen Osmani por tërë fshatin Negotin të Gostivarit, i cili është fshat mërgimtarësh”.

Afrim Hasani nga fshati Senokos i Gostivarit. Në këtë tërmet katastrofal ka humbur të atin Refikin dhe xhaxhin Xhemalin. Lajmin e dhimbshëm ai e ka kuptuar përmes telefonit nga vëllai i tij i cili po ashtu është në Itali.

Ekziston frik se në mesin e viktimave të pa identifikuara në këtë rajon të Italisë ku jetojnë rreth 600 shqiptarë, mundet të ketë dhe ndonjë viktimë tjetër shqiptare./tvklan.al

Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu