Shqiptarëve në Maqedoni u nevojiten institucione paralele për të shpëtuar nga asimilimi maqedonasve. Në ndërtimin e këtyre institucioneve do të punojnë në rast se fitojnë në garën për president të Maqedonisë, premton kandidatja e Partisë Demokratike Shqiptare, Mirushe Hoxha, e cila në garën presidenciale të 22 marsit futet si femra e parë në Maqedoni që është kandiduar për president shteti.

Mirushe Hoxha: “Institucionet paralele, janë institucionet të cilat veçojnë, veçojnë popullin shqiptarë, identitetin shqiptarë dhe nuk lejon që ky të shkrihet dhe asimilohet me identitetin maqedonas. Institucioni paralel nënkupton universitete në gjuhën shqipe dhe jo paralele të përziera, gjithashtu teatrot në gjuhën shqipe dhe jo teatro të përziera”.

Hoxha është një nga intelektualet më të shkolluara shqiptare në Maqedoni. Ajo ka kryer dy magjistratura dhe 1 doktoraturrë. Fakti se është kandidate e vetme femër ajo e shef si përparësi e jo si hendikep. Posaçërisht e potencon domosdoshmërinë që zgjedhja të kalojë në atmosferë të qetë dhe pa incidente.

Mirushe Hoxha: “Po jam femra e parë dhe femra e parë shqiptare që kandidohet në republikën  e Maqedonisë për postin presidencial. Këtë nuk e shoh si hendike po për kundrazi e shoh si përparësi, pikësëpari duke u nisur nga fakti se oferta ime është ndër ofertat më të mira mbase dhe më e mira për dallim nga kandidatë të tjerë presidencial. Dhe shpresoj se zgjedhjet do të kalojnë pa incidente se askush nuk do të bie në ndikimin e provokimeve të ndryshme dhe nuk do të iniciojë provokime”.

Pa marrë parasysh se si do të jetë epilogu i zgjedhjeve presidenciale të 22 marsit, Mirushe Hoxha, thotë se do të vazhdoj paralelisht karrierën akademike dhe atë politike. Ajo paralajmëron se Maqedonia duhet sa më shpejt të gjej zgjidhje për kontestin me Greqinë rreth emrit. Sepse dhe ashtu ka humbur mjaftë kohë në integrimet në strukturat euroatlantike./tvklan.al

Nga Shkupi për TV klan Isen Saliu