Nuk kishte se si të niste ndryshe maratona e këngës popullore në qytetin e serenatave, përveçse me grupin Lira. Mes ngrohtësisë së mijërave korçarëve në skenën e ngritur pranë Katedrales së qytetit, emra të njohur dhe të dashur për publikun sollën këngë nga jugu në veri.
Por ashtu si çdo qytet ka krenaritë e veta edhe në këngë, edhe Korça nuk kishte se si të mos duartrokiste fort dhe të kërkonte të tjera këngë prej vokalit karakteristik të bashkëqytetares Eli Fara.
Nga bashkia e qytetit dhe maratona e këngës popullore, këngëtares Eli Fara, kompozitorit Josif Minga dhe pas vdekjes dirigjentit, krijuesit, punuesit të këngës popullore ,iu akorduan çmimet pikërisht në këtë natë emocionuese.
Eli Fara: “Fjalët nuk përshkruajnë dot këtë ambient dhe këtë natë që mua më duket e mrekullueshme, këtë publik kaq të dashur.”
Shumë duartrokitje iu dhuruan edhe Çiljetës, vëllezërve korçar apo Devis Xherahut, të emocionuar për pjesëmarrjen në maratonën e këngës popullore si dhe për performancën përpara publikut të qytetit të tyre.
Devis Xherahu: “Kisha shumë nevojë pas gjithë këtyre viteve që jam larg Korçës, larg Shqipërisë. Të këndoja shqip, të dëgjoja duartrokitjet e popullit tim, qytetit tim të Korçës.”
Stefi Prifti: “ Sigurisht që qyteti i Korçës është shumë mikpritës, sidomos për këngët qytetare, por patjetër edhe për popullore. Ju po e shikoni vetë këtu është një event i jashtëzakonshëm dhe atmosferë shumë e bukur.”
Mikpritës i këtij evenimenti, kreu i bashkisë së Korçës Niko Peleshi, shpreh gjithashtu entuziast për ketë spektakël që bashkon të gjitha trevat përmes këngës popullore.
Niko Peleshi: “Ne startojmë me iniciativën e bashkisë së qytetit javën e muzikës. Pretendojmë që jemi qyteti i muzikës, i artit dhe i kulturës dhe nuk kishte se si të fillonte më mirë kjo javë përveç se me maratonën e këngës popullore. Ku ka shumë artistë nga e gjithë Shqipëria, ku ka shumë këngëtar do ndajnë me ne vlerat artistike edhe të trevave të tjera, por edhe ne do tu japim atyre sharmin e këtij qyteti.”
Maratona e këngës popullore sjellë nga promotorë dhe televizioni kombëtar Klan, me mbështetjen e fuqishme të ministrisë së Kulturës si dhe mjaft sponsoreve prestigjiozë si Vodafon. Do të vazhdojë rrugëtimin e vet në qytetin e Shkodrës, një tjetër vatër e rëndësishme e këngës qytetare./tvklan.al
Gazetare: Daniela Kostandini