Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në nën administratën e presidentit Barack Obama do të njohin të tjera dimensione. Duke folur në një seminar të bashkë organizuar nga ambasada amerikanë në Tiranë.
Instituti Shqiptar për Studimet Bashkëkohore me temë “Politika e jashtme e SHBA-ve administrata e re, doktrinë e re, perspektiva rajonale”, ambasadori amerikan John Withers ka siguruar qeverinë shqiptare dhe gjithë shqiptarët se presidenti i ri do të vazhdojë të japë mbështetje të fortë për vendin tonë, duke vijuar traditën e vjetër të marrëdhënieve të mira mes dy shteteve, që kulmuan nën administratën Bush.
John Withers: “Shqipëria nuk ka patur një mik më të mirë se presidenti Bush. Dëshiroj të them zoti kryeministër se marrëdhënia juaj me presidentin Bush ka luajtur një rol të rëndësishëm me çuarjen më tej të kësaj miqësie e kësaj marrëdhënie të ngrohtë. Por ju siguroj se presidenti Obama do të jetë një mik për Shqiptarët, duke vijuar atë traditë që shkon deri në vitet e presidencës së Willsonit. Politikat e vendit tim për rajonin dhe për Shqipërinë në veçanti do të jenë të mbështetura mbi shpresën dhe pritshmërinë. Shpresat janë të larta dhe optimiste dhe ju siguroj se ditë më të mira priten në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ne kemi dhe pritshmëri nga Shqipëria. Pritshmëri që presidenti Obama ka edhe nga vetja e tij. Respekt për kushtetutën, përpjekje për të luftuar korrupsionin ndërsa po afrohet data e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Duhet përkushtim ndaj parimeve dhe praktikave demokratike që të qëndrojnë përtej çdo hije dyshimi.”
Edhe politika është shpresë plotë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve do të intensifikohen gjatë presidencës Obama. Kryeministri Berisha duke e cilësuar Amerikën si aleatin më të madh të Shqiptarëve, siguroi se këtë besim të treguar ndaj vendit tonë, qeveria e tij do ta përkthejë në reforma, luftë kundër korrupsionit dhe zgjedhje të lira dhe demokratike.
Sali Berisha: “Shqipëria ka pasur dhe ka tek SHBA aleatin dhe mikun më të çmuar, partnerin e saj strategjik kryesor, shqiptarët nuk do të harrojnë mbështetjen që SHBA-ja në emër të vlerave themelore të njerëzimit, i kanë dhënë çështjes së tyre kombëtare në çastet më përcaktuese për lirinë e tyre. Unë kam bindjen më të thellë se tek presidenti Baracak Obama shqiptarët kanë dhe do të kenë një nga miqtë më të çmuar. Në perspektivën dhe në besimin tim marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-së do të njohin dimensione të reja të fuqishme. Unë shfrytëzoj rastin të shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë ndaj presidentit George W. Bush. Këtij miku të madh që me aktet e tij historike në marrëdhëniet midis dy vendeve, do të mbetet përjetë në memorien e kombit shqiptar.”
Lulzim Basha: “Ne jemi mbledhur sot në një kohë kur me mjaft modesti dhe krenari mund të themi se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë më të mira se kurrë. Marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të rëndësisë parësore dhe strategjike për Shqipërinë. SHBA janë aleati i pa zëvendësueshëm i shtetit të demokracisë shqiptare. Shqipëria është bërë një nga aleatët më të palëkundura të SHBA.”
I pranishëm në këtë seminar, kreu i opozitës Edi Rama, duke iu referuar fjalimit që presidenti Obama mbajti gjatë ceremonisë së inaugurimit si presidenti i 44 i SHBA-së, nuk ka nguruar ti kujtojë kundërshtarit të tij politik se modeli amerikan Obama është ai i duhuri për të qeverisur Shqipërinë.
Edi Rama: “Për të qenë miq të denjë, të Amerikës së Barack Obamës ne s’mund t’i lejojmë vetes zgjedhje të rrezikuara, institucione e autoritete kushtetuese të kërcënuara, media të dhunuara. Ndërkohë që presidenti i SHBA-së thotë, se nuk do ti lëshojmë për asgjë në botë idealet që vijojnë të ndriçojnë botën…/tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka