Ky plis, do të mbetet kujtimi më i shtrenjtë nga Kosova për kryemyftiun boshnjak, reis-ulema, Mustafa Ceriç. Si simbol të traditës kombëtare shqiptare, atë ia dhuroi, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Ndërsa, Ceriq, ia dhuroi Kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin.
Të gjitha këto dhurata u këmbyen, në ditën e 3 dhe të fundit të vizitës së Mustafa Ceriqit në Kosovë. Ai dhe Tërnava, nënshkruan edhe një marrëveshje mirëkuptimi.
Për kryeimamin e Kosovës kjo marrëveshje do të shërbejë që të ruhen traditat e fesë në Kosovë, duke mos lejuar rrymat e tjera ta prishin atë.
Naim Tërnava: “Parimet islame të shpjegohen drejtë dhe mirë duke mos iu dhënë mundësi të tjerëve në indoktrinimin e masës tonë as për ndonjë radikalizëm, as për terrorizëm ngase islami është fe paqeje.”
Ndërsa, për kryemyftiun boshnjak, ky memorandum është i rëndësishëm për të dyja vendet.
Mustafa Ceriq: “Kemi mësuar shumë gjëra që nuk i kemi ditur për Kosovën. Kemi parë një përparim të madh që është shënuar në këtë dekadë.”
Gjatë këtyre ditëve të qëndrimit të tij në Kosovë, reis-ulema, Ceriq, vizitoi monumente fetare, kulturore e historike të popullit shqiptar, të cilat kanë lënë përshtypje të mira tek ai./tvklan.al