Ndërtimi i gazsjellësit gjigand South Stream ka marrë dritën jeshile sot pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Rusisë dhe Turqisë.
Dokumenti u nënshkrua në Ankara nga kryeministrat e dy vendeve Vladimir Putin dhe Rexhep Tajip Erdogan. Ajo u përshëndet edhe nga homologu dhe miku i ngushtë i tyre, Silvio Berlusconi.
Gazsjellësi Southstream do të transportojë gaz rus nëpërmjet Turqisë dhe Ballkanit Perëndimor në Evropën Perëndimore.
Ai shihet si një zgjidhje nga ana e Moskës për të anashkaluar kalimin e gazit përmes Ukrainës që gjatë këtyre viteve ka treguar se është një gjemb në këmbën e Rusisë përsa i përket gazit.
Southstream do të ndërtohet në vitin 2010, ai pritet të jetë një rival i fortë i Nabukos një tjetër gazsjellës i mbështetur nga BE që synon të shmangë monopolin rus energjetik.
Ky projekt do të kushtojë 25 miliardë euro dhe pritet te përfundojë në vitin 2013. Analistët thonë se kjo marrëveshje reflekton qartë ambiciet e mëdha politike të Turqisë e cila është e përfshirë nga ana tjetër edhe në projektin Nabuko./tvklan.al