Dita e fundit e negociatave për marrëveshjen e klimës
Në ditën e fundit të konferencës së OKB-së për klimën në Glasgow po qarkullon një projekt marrëveshje e re që shton thirrjet ndaj qeverive për të trajtuar urgjentisht pasojat e ndryshimit të klimës. Dokumenti u kërkon vendeve të zbulojnë planet e tyre për të reduktuar masivisht emetimet e gazeve serë.
Por angazhimet për të reduktuar përdorimin e qymyrit dhe lëndëve të tjera djegëse fosile zbuten. Dokumenti gjithashtu u kërkon vendeve të pasura të forcojnë mbështetjen e tyre për vendet më të varfra.
Për të hyrë në fuqi, marrëveshja duhet të miratohet nga të gjitha vendet në takim.
Negociatat mund të zgjasin përtej afatit të konferencës. Takimi i OKB-së shihet si vendimtar për kufizimin e efekteve më të këqija të ngrohjes globale.
Ndërkohë të premten, shefi i OKB-së António Guterres tha se konferenca ndoshta nuk do t’i arrijë qëllimet e saj.
Shkencëtarët thonë se kufizimi i ngrohjes në 1.5 gradë Celsius në krahasim me nivelet para-industriale do të na mbrojë nga ndikimet më të rrezikshme të ndryshimeve klimatike.
Përmbushja e qëllimit kërkon që emetimet globale të reduktohen me 45% deri në vitin 2030 dhe në zero në përgjithësi deri në vitin 2050. Një shembull i ndikimit të rritjes së temperaturës globale mbi 2 gradë Celsius është zhdukja e pothuajse të gjithë shkëmbinjve koralorë, thonë shkencëtarët.
Kjo është projekt-marrëveshja e dytë e publikuar këtë javë. Qeveritë dhe përfaqësuesit kanë negociuar detajet e draftit të parë të publikuar të mërkurën.
Klan News