Sot në orën 12:00 pritet protesta e opozitës në qytetin e Shkodrës, e treta në radhë për mosbindjen civile. Ishte kreu i demokratëve Sali Berisha ai i cili njoftoi se aksioni i së djathtës këtë herë do zhvendosej në qytetin verior. Teksa u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen revoltës, tha se ky do jetë një marshim kundër krimit. Ai u ndal te atentati me 3 viktima në Dobraç të Shkodrës, ku mes tyre është edhe një qytetare krejtësisht e pafajshme.
“Në shenjë solidariteti me qytetarët e Shkodrës, ftoj të gjithë opozitarët kudo që janë, të shtunën në ora 12:00 në Shkodër, solidaritet me qytetarët e këtij vendi, me këtë qytetar të bekuar, si dëshmi që nuk do të pranojmë kurrë që krimi të mposhtë Shkodrën dhe shkodranët. Në këtë protestë, mosbindje civile, ne i themi jo, dhunës së mafias së Edi Ramës. Kjo mosbindje civile do të duhej të thirrej në Tiranë, por dëshiroj t’u shprehim nga afër të gjithë solidaritetin tonë, qytetarëve të Shkodrës”, deklaroi Berisha.
Kujtojmë se protesta e parë në kuadër të mosbindjes civile erdhi fill pas arrestimit të ish-deputetit Ervin Salianji. Për demokratët, vendimi për 1 vit heqje lirie ndaj tij ishte terësisht politik.
Protesta e dytë erdhi si rrallëherë në formë bllokade në disa qytete të vendit, përfshirë edhe Tiranën. Edhe ky tubim pasoi arrestimin e një prej eksponentëve më të rëndësishëm të opozitës, ish-Presidentit Ilir Meta e njëkohësisht kryetarit të Partisë së Lirisë.
Të dyja protestat e mëhershme zgjatën 3 orë. Ajo e 7 Tetorit regjistroi më shumë tensione, ku protestuesit hodhën molotov ndaj institucioneve dhe patën disa përplasje me Policinë. Ndërsa, bllokimi i 6 akseve nacionale rezultoi relativisht më paqësor si akt.
Pritet që protesta e kësaj të Shtune të shërbejë më shumë për sensibilizimin e qytetarëve sa i takon sigurisë së tyre në hapësira publike. Theksojmë se të djathtët kanë deklaruar se mosbindja civile do vijojë intensivisht deri në krijimin e qeverisë teknike. Kjo e fundit, është kushti që ka opozita para zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.
E.D/tvklan.al