60-vjeçari Kastriot Komoni, banues në Norvegji, është vënë në pranga për mashtrim në Tiranë.
Policia njoftoi se ai ka përvetësuar para duke u premtuar disa personave se do t’iu siguronte kontrata pune dhe do t’i bënte aksionerë në një biznes në Norvegji.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pakti”. Gjatë operacionit u ndalua shtetasi K. K., 60 vjeç, banues në Norvegji, për veprën penale “Mashtrimi”. Ky shtetas dyshohet se ka përvetësuar, nëpërmjet mashtrimit, shuma të ndryshme parash, nga disa shtetas, të cilëve iu kishte premtuar se do t’iu siguronte kontrata pune dhe do t’i bënte aksionerë në një biznes në Norvegji”, tha policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al