Presidenti italian pritet nga homologu shqiptar

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, qëndroi mbi 1 orë në takimin që pati me homologun shqiptar Bajram Begaj. Pas takimit, kreu i shtetit italian dha mesazhin se vendi i tij do të jetë në krah të Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE.

“Me Presidentin Mattarella biseduam për rëndësinë e vijimit të mbështetjes italiane, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë teknik, në përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim dhe përshpejtimin e këtij procesi”, tha Begaj.

“Shqipëria është e rëndësishme për rajonin dhe jo vetëm për marrëdhëniet me Italinë por edhe për Europën. I thashë Presidentit Begaj se Italia do të qëndrojë në krah të Shqipërisë në rrugën e mëtejshme për anëtarësim në BE”, tha Mattarella.

Kosova dhe zhvillimet ne rajon ishin një tjetër temë e bisedës.

“Vendet e Bashkimit Evropian duhet të ndihmojnë Ballkanin, që të vijojë i palëkundur në rrugëtimin Euro-Atlantik pa lënë hapësira influence, që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë larg rajonit”, tha Begaj.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, Presidenti italian u prit edhe nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se Italia ka qenë dhe do të mbetet një vend mik dhe partner kyç i Shqipërisë në rrugën e zhvillimit ekonomik, si dhe një mbështetëse e vendosur e rrugëtimit të saj europian.

Rama dhe Mattarella folën edhe për bashkëpunimin mes vendeve në fushën e bujqësisë, turizmit, arsimit dhe shërbimeve.

Tv Klan