Nishani-intervista-KlanMazhoranca ka gati një tjetër projektligj që synon t’i heqë të drejtën Presidentit për të propozuar kreun e Kontrollit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Nisma që mban firmën e 6 deputetëve të mazhorancës është përfshirë në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit.

Në nenin 11 të ligjit ekzistues për ILDKP-në, e më konkretisht në pikën 2 të tij që bën fjalë për organet, kompetencat dhe strukturën e këtij isntitucioni saktësohet se, Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit, ndërmjet dy kandidaturave, për një mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Por ky nen me ndryshimet e reja të propozuara nga deputetët e PS-së dhe ata të LSI-së, e përjashton Presidentin e Republikës nga e drejta për të propozuar kandidaturat për kreun e ILDKP-së, duke ja deleguar atë kuvendit, që zgjedh me shumicën e të gjithë anëtarëve për një periudhë 7 vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje kreun e këtij institucioni.

Thënë ndryshe me këtë ndërhyrje, mazhoranca ka prekur njëherazi edhe mandatin e kreut të ILDKP-së, duke e çuar atë nga 5 në 7 vjet.

Propozimi i deputetëve iniciues të mazhorancës përcakton zgjedhjen dhe shkarkimin e kreut të ILDKP-së me 71 vota, ndërsa për shkarkimin e tij duhen jo më pak se një e tretat e deputetëve.

Ndryshimin që pritet të kalojë për diskutim në komisionin e ligjeve, deputëtet iniciues të shumicës e justifikojnë në relacionin shoqërues me faktin se ky rregullim ligjor vjen në zbatim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2002, ku argumentohet se për funksionet kushtetuese të organeve, atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji.”

Dispozita e nenit 92 ka të parashikuara në mënyrë kushtetuese kompetencat e Presidentit të Republikës, ndërkohë që po vetë teksti i Kushtetutës në nenin 94 ka parashikuar ndalimin e kreut të shtetit për të ushtruar kompetenca të tjera, përvec atyre që i njihen shprehimisht me ligje të nxjerra në pajtim me kushtetutën.

Sipas deputetëve propozimi i kandidaturave alternative për zgjedhjen e kreut të inspektoriatit është dukshëm një kompetencë që i është njohur Presidentit të Republikës përtej rrethit të kompetencave që vetë Kushtetuta i ka njohur kreut të shtetit nënenin 92.

Me ndryshimin e ligjit për ILDKP-në klima e marrëdhënieve mes institucionit të Presidencës dhe mazhorancës pritet të agravohen edhe më tej, pasi kjo nismë e deputetëve të shumicës vjen në një kohë kur pas shkarkimit të Zana Xhukës nga Inspektore e Përgjithshme, kreu i Shtetit Bujar Nishani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e konfliktit të krijuar përsa i përket kompetencave të Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas Nishanit, Parlamenti ndërhyri në kompetencat e Presidentit me shkarkimin dhe emërimin që kreu në këtë institucion, ndaj i kërkoi gjykatës të shpallte si antikushtetues votimin e Shkëlqim Ganaj në vend të Zana Xhukës.

Kjo është nisma e dytë e ndërmarrë nga mazhoranca brenda pak ditëve që synon t;i heqë të tjera kompetenca kreut të Shtetit, pas atyre si komandant i Forcave të Armatosura.