Këto foto tregojnë ndihmat e para humanitare të mbërritura nga Shtetet e Bashkuara për palestinezët, përmes skelave të ngritura në brigjet e Rripit të Gazës.
Bëhet fjalë për 170 ton ndihma që u shkarkuan nga një anije amerikane dhe u shpërndanë nëpër kamionë, në përmbushje të premtimit të presidentit Joe Biden për shfrytëzimin edhe të rrugëve detare për hyrjen e ndihmave, për të zbutur me çdo mënyrë krizën që ka shkaktuar lufta izraelite kundër Hamasit.
Përmes rrjetit X, Biden tha se veç ushqimeve, kjo ngarkesë përmban edhe ilaçe për të sëmurët, ndërsa deklaroi se është jetike të dërgohen sa më shpejt dhe sa më shumë ndihma për palestinezët.
Ndërkaq, ushtria izraelite mori në dorëzim trupat e 3 prej pengjeve izraelitë, të cilët u vranë ditën e sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 Tetor.
Ata humbën jetën gjatë tërheqjes së militantëve të Hamasit, kur vranë 1200 njerëz morën me vete 252 pengje.
Për Kryeministrin Benjamin Netanjahu, lajmi i gjetjes së tyre pa jetë është i trishtë, ndërsa u zotua se do të rikthejë me çdo kusht në atdhe rreth 130 izraelitët që ende mbahen peng nga Hamasi.
Tv Klan