Projektligji që propozon përfshirjen e bonove të privatizimit si mënyrë pagese në legalizimin e ndërtimeve pa leje ka mbërritur dhe është diskutuar në komisionin kuvendor të ligjeve.
Ideja e propozuar fillimisht ka kryeministri Berisha gjatë fushatës elektorale dhe e shndërruar në projektligj nga qeveria, ka efekt prapaveprues.
Pra parashikon përfitim jo vetëm nga personat që janë aktualisht në proces legalizimi por edhe nga ata që kanë kryer tashmë pagesën, duke ju rimbursuar këtyre të fundit vlerën në lek kundrejt derdhjes së të njëjtës vlerë në bono privatizimi.
Futja e letrave me vlerë tenton të përshpejtojë procesin e legalizimit. Në fakt, nga shndrimi në ligj i këtij drafti qytetarët do të kenë vetëm 3 muaj kohë për të aplikuar pranë ALUIZNI-t për pagesën me anë të letrave me vlerë.
Edhe bonot e privatizimit të shpërndara për ish të përndjekurit politike do të mund të përdoren në këtë proces.
Me këto letra me vlerë do të mund të paguhet 80% e detyrimit ndaj ALUIZNI-t për sipërfaqet deri 300 metra2 që ndodhen brenda vijës së verdhë e që janë në funksion banimi.
Ndërsa për ndërtimet në proces legalizimi që kanë karakter social ekonomik pagesa për të cilat përllogaritet me çmimet e tregut bonot privatizimi do të mbulojnë vetëm 50 % të kësaj vlere.
Diskutimet në komisionin e ligjeve pritet të rikthehen edhe ditën e martë pas përllogaritjes së impaktit që këto ndryshime do të kenë te arka e shtetit./tvklan.al
Gazetare: Fjorald Zguro