Mbetjet urbane janë shqetësim real për sa i përket cilësisë së mjedisit. Sipas zëvendësministrit të mjedisit, Taulant Binos, të gjitha qytetet janë të ndotur.
Dhe ne ndihmë të zgjidhjes së këtij problemi pritet të vijë strategjia e menaxhimit dhe plani kombëtar i mbetjeve, për të cilin po diskutohet nga grupi i punës për sektorin e mjedisit.
Taulant Bino: “Si problematikë është më e zhvilluar më qendrat e mëdha urbane siç janë qytete kryesore të Shqipërisë si Tirana, Shkodra, Durrësi, Vlora ku mungojnë totalisht sistemet e trajtimit të mbetjeve urbane, por dhe sistemet e grumbullimit çalojnë së tepërmi. Që do të thotë që ne kemi një Shqipëri të ndotur nga mbetjet urbane dhe për këtë duhet reaguar. Mendimi i përgjithshëm është që tashmë duhet të shmangemi nga kërkesa e çdo njësie të qeverisë vendore për të pasur landifillin e saj sepse kështu ne po përhapim ndotje gjithkund. Duhet që të organizojmë punën me njësitë e qeverisjes vendore, në mënyrë që të kemi landifille rajonal ku edhe përpjekjet tona për trajtimin e mbetjeve urbane të jenë të përqendruara.”
Për të zgjidhur problemin e mbetjeve urbane në kryeqytet qeveria investoi në ngritjen e landfilldit në Sharrë, por Bino u shpreh se pas kësaj është bashkia ajo që duhet të ndajë mbetjet urbane që në burim, në mënyrë që ky landfill të ketë jetëgjatësi më të madhe.
Duke iu referuar situatës aktuale Bino u shpreh se ka gjasa që brenda pak kohësh të lind nevoja për të krijimin e një landfilli të ri duke e nxjerrë jashtë funksionit landfillin e Sharrës./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami