Plazhi i Golemit, si një nga plazhet më të frekuentuara nga pushuesit është pushtuar prej disa ditësh nga mbeturinat urbane.
Ndryshe nga çfarë ishte premtuar në fillim të sezonit veror që kjo situatë do të merrte fund, gjatë një vëzhgimi, konstatuam se asgjë nuk ka ndryshuar.
Depozitimi i mbetjeve urbane vazhdon të bëhet në terren të hapur, ndërsa pastrimi i tyre mbetet ende një problem.
Sikur të mos mjaftonte kjo pikërisht në këtë zonë turistike mungojnë edhe koshat e mbeturinave, ndërsa depozitimi i tyre bëhet në sipërfaqe të hapur, vetëm pak metra larg çadrave të pushuesve.
Pushues: “Sivjet kemi ardhur këtu, pak qetësi është, qetësi më e madhe, por të brengosin mbeturinat dhe pa pastërtia.”
Pushues: “Kjo papastërti normal që më shqetëson. I kam pa më një traktor këtu, ama nuk i morën të gjitha, i morën ashtu sa për sy e faqe dhe ikën.”
Edhe pse Golemi shënoi verën e kaluar një numër rekord të turistëve të huaj dhe vendas, imazhi i tij për këtë sezon turistik vihet në pikëpyetje.
Plazhi i Golemit ka një shtrirje prej rreth 6 km dhe është nën administrimin e komunës me të njëjtin emër.
Vazhdimisht është premtuar nga pushtetit vendor për një punë kolosale që do të bëhej me mirëmbajtjen, pastrimin dhe rregullimin e plazheve, por deri më tani asgjë nuk është arritur./tvklan.al