Veliaj: Krenar që familjes tonë po i bashkohen të rinj të talentuar, që kanë ide për të ardhmen
Drejtuesi Politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj nga njësia nr.4 shprehu falenderimet e tij për 200 të rinj që zgjodhën të jenë pjesë e familjes së madhe socialiste. Veliaj tha se ndihet krenar që Partisë Socialiste po i bashkohen të rinj të talentuar, që kanë ide për të ardhmen.
“Të gjithë studentët me 10-ta janë me PS. Të gjithë janë të mirëpritur, por fakti se më të mirët, më punëtorët, më të talentuarit, më të dalluarit bëhen me PS, është një kompliment më i madh. E di pse? Sepse i miri shkon te i miri.”
Veliaj përmendi dhe kundërshtarët politik, duke thënë se ata nuk mund të ndalim vrapin se opozita nuk kap dot hapin tyre.
“Duket qesharake, t’i thuash fitimtarit, të shpejtit, të aftit, të talentuarit, të pëlqyerit nga publiku, lëre këtë punë që të vijë tjetri. Kush të vijë?!Në vitin 2013 këta kishin të gjithë Shqipërinë. Në vitin 2015 u reduktuan, kishin vetëm Tiranën. Në vitin 2015 humbën Tiranën dhe në 2017 ngelën vetëm në Bulevard. Nga bulevardi vajtën te oborri i tyre. Edhe te oborri i tyre, filluan sherrin dhe dogjën shtëpinë e tyre. Tani janë reduktuar vetëm në një rrugicë të Tiranës, nga 10 mijë rrugë që ka Tirana. E nga një rrugicë po reduktohen te një dritare. Njerëz që djegin shtëpinë e tyre, do rregullojnë shtëpinë tonë?”
Duke theksuar se nuk ka parti më të mirë për të qeverisur vendin, se Partia Socialiste, Veliaj sqaroi se strukturat po bëhen gati për zgjedhet qeveritare në 2025-ën.
Klan News