Shumica e tyre përgjatë bulevardit “Dëshmoret e Kombit”
Mbi 35 aktivitete të ndryshme dhe për çdo grupmoshë do të zhvillohen në Tiranë përgjatë Ditës së Verës duke nisur nga Sheshi “Skënderbej”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” e deri te Sheshi “Nënë Tereza”.
Gjergji Muzaka, Drejtor i Sportit, Bashkia Tiranë: Do e fillojmë në Sheshin Skënderbej me një panair automjetesh ku do të ekspozohen koleksione nga makinat retro, motorat Vespa, Harli. Gjithashtu edhe Forcat e Armatosura do të instalojnë në qendër të sheshit një tank. Kjo zonë do t’i dedikohet edhe fëmijëve që do të ndërtojnë balona dhe do mundohen t’i ngrejnë vetë. Do të ketë ekspozitë pikturash në të gjithë parkun Europa. Parku Rinia dhe instalacioni i Resë do të jenë për programe të ndryshme artistike. Mund të përmend disa nga artistët e mirënjohur si Artiola Toska, Xhensila Myrtezaj apo edhe Valbona Mema që do jenë pjesë e këtyre festimeve.”
Do të ketë edhe një markatë të artizanëve dhe prodhimeve bujqësore të zonës, si dhe mjaft sporte të ndryshme.
Gjergji Muzaka, Drejtor i Sportit, Bashkia Tiranë: Nuk do të kemi vetëm qytetarë nga Tirana, por edhe vizitorë dhe turistë nga qytete të ndryshme do të jenë pjesë e festimeve tona. Për të vazhduar tek hotel Dajti si zakonisht që vendosim Panairin e Artizanëve dhe prodhuesit lokal. Do të ketë markatë lulesh. Gjithashtu fëmijët do të kenë aktivitetet e tyre me lojra popullore dhe sporte rekreative për të vazhduar edhe më një markatë edhe për fëmijët që do të inkurajohen të sjellin lodra të vjetra t’i shesin ose t’i falin atë ditë.”
Për mbarëvajtjen e aktiviteteve të Ditës së Verës, do të ketë edhe ndalim qarkullimi të automjeteve përgjatë Bulevardit “Dëshmoret e Kombit” dhe disa arterieve që lidhen me të deri në mesnatën e 14 Marsit.
Klan News