Vetëm pak orë përpara fillimit të seancës së jashtëzakonshme plenare për situatën e përmbytjeve në Shkodër, kreu i mazhorancës i ka kërkuar grupit parlamentar socialist të reflektojnë dhe të marrë pjesë në këtë seancë të kërkuar nga vetë ata. Vendimin e Ramës për të mos i lënë deputetët socialistë të jenë në këtë seancë, Berisha e ka quajtur një gabim të rëndë.
Sali Berisha: “Një vendim zhgënjyes politik, ata që kërkuan të thirret seanca e jashtëzakonshme nuk lejohen të marrin pjesë në debatin për një fatkeqësi madhore natyrore. Ky është një gabim shumë i rëndë, uroj këto orë që kanë mbetur nga seanca të jenë orë reflektimi me interesin më të mirë të forcës politike që kërkoi seancën, por dhe në interesin më të mirë të shoqërisë dhe të vendit.”
Në këtë mbledhje të parë të grupit parlamentar për sesionin e ri të vitit 2010, kryeministri ka prezantuar përpara deputetëve demokrat dhe 2 prioritetet e mazhorancës parlamentare gjatë këtij sesioni.
Sali Berisha: “Ky sesion do të jetë përcaktues. Vendimin e BE-së për heqjen e plotë të vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptar do të jetë përcaktues, reforma të thella e të gjithanshme me të cilat do të bëhej e mundur. Pas dorëzimit të pyetësorit, vendimin e favorshëm për procesin e integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në BE.”
Kryeministri u shpreh optimist se detyrimet që ka kjo mazhorancë do ti përmbush brenda këtij viti. Ai gjithashtu shprehu vlerësim për angazhimin e deputetëve demokratë në situatën e krijuar pas përmbytjeve në Shkodër, por edhe për banorët e kryeqendrës së veriut për mënyrën sesi ata e përballuan emergjencën./tvklan.al
Gazetare: Elia Zotka