Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Lideri i opozitës ka kërkuar në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar demokrat, që Ministri i Jashtëm Ilir Meta të thirret në interpelancë, për të raportuar mbi raportin më të fundit të OSBE-së mbi gjendjen aktuale politike në Shqipëri. Berisha ka theksuar, se në këtë raport, që përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë Lipponen, ka paraqitur përpara një jave në Vjenë, është vlerësuar roli i madh që ka dhënë opozita për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, shefi i selisë blu ka falënderuar dhe komisionin hetimor Rama dhe në veçanti kryetarin e tij Sokol Olldashi, për punën e madhe që ka bërë për të bërë publike vjedhjet e mëdha që janë bërë në Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës nga Edi Rama.

Sali Berisha:- “Zoti Olldashi, për të respektuar komisionin, ka kërkuar sjelljen e tij me forcë, kjo mund të bëhet, por unë gjykojë që komisioni nuk ka ndonjë detyrim që ta ftojë më atë, sepse shansi atij ju dha. Edvinit iu krijua mundësia të shpjegojë, por ju garantojë, që s’kishte mundësi të rrëzonte as edhe më të voglën fakt, shifër, apo konkluzion”.

Berisha ka deklaruar, se menjëherë pas debatit parlamentar, do t’i paraqesin prokurorit të përgjithshëm të gjitha dosjet që disponojnë komisionerët e opozitës në komisionin Rama, ku dëshmohet sipas tyre, për të gjitha abuzimet e bëra nga kryebashkiaku./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka