Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Mbledhja e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste ka miratuar pas 6 orësh fillimin e procesit të ripërtëritjes. Kryetari i partisë Fatos Nano ka mbështetur propozimet e bëra për ndryshime në forumet drejtuese socialiste, të kërkuara nga anëtarët Ben Blushi, Emin Barçi, Blendi Klosi dhe Erion Braçe, të cilët gjatë diskutimit të tyre kanë goditur kryesisht sekretarët Elmaz Sherifi, Maqo Lakrori e Bardhyl Agasi.
Ky i fundit ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme në mbledhjen e KPD-së. Dorëheqja e Agasit si anëtarë i kryesisë, nuk u shfaq e nevojshme përderisa në mbledhje është konkluduar për një ripërtëritje të të gjithë kryesisë.
Bardhyl Agasi: “Dorëheqja e sekretarit qe e parevokueshme, kurse si anëtar kryesie do diskutohet në raport metë gjithë kryesinë e partisë.”
Gazetarja: Nëse do t’ju propozohej zoti Blushi një vend në kryesinë e PS, do ta pranonit?
Ben Blushi: “Kjo s’është ambicia ime, ambicia ime është që të jetë një parti serioze, që transmeton seriozitet, përsa kohë që merret me gjëra të vogla ka raste që e humb seriozitetin.”
Makbule Çeço: “Duhen patjetër që të bëhen përmirësime edhe në struktura edhe në programe edhe në politika, dhe në aleanca edhe në metoda dhe në taktika dhe në të gjitha spektret.”
Në këtë kuadër edhe Petro Koçi i ka dorëzuar KPD-së propozimin e tij, ku kërkohet përcaktimi i kryeministrit të ri të qeverisjes 2005-2009, si dhe ndarje e mandatit të sekretarit të përgjithshëm nga ai i kryetarit të grupit parlamentar, poste këto që i gëzon kryetari i KPD Gramoz Ruçi.
Gramoz Ruçi: “S’është e re për mua, se kjo ishte alternativa e konkurrimit të tij përball meje në kongresin e partisë, por fitoi alternativa tjetër, kjo s’do të thotë që kjo alternativë të mos ridiskutohet në kongresin e ardhshëm që s’është pas 4 vjetësh, por është brenda një viti, sipas statutit që kemi neve.”
Pëveç sekretarit për marrëdhëniet publike, socialistët do të zgjedhin dhe një zëdhënës politik. KPD miratoi fillimin e fazës së dytë të kuvendimit të madh, prej nga pritet evidentimi i problemeve. Ndryshimi i disiplinës dhe verifikimi i të zgjedhurve dhe të emëruarve në të gjitha nivelet./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj