Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mbledhja e së premtes e kryesisë së PS, besohet të mbahet nën zë, për të mbuluar debatet që priten. Burime të PS thanë, se interesi i partisë në këto çaste është qetësia, për të kaluar pa probleme fazën e përzgjedhjes së kandidatëve vendor, por burime të tjera thonë, se kundërshtarët e kryetarit Fatos Nano, do të përpiqen të jenë më të ashpër, në trajtimin e problemeve që janë paraqitur në letrën e fundit të zv/kryeministrit Ilir Meta.

Interesi është ndikimi sa më i madh në përzgjedhjen e kandidatëve të pushtetit vendor, ku sipas gjasave të dy grupimet synojnë të kenë më shumë përkrahës. Lënia në pikën e fundit të rendit të punimeve të mbledhjes së kryesisë, të letrës së zotit Meta, besohet të jetë bërë për t’i dhënë sa më shumë kohë trajtimit të problemeve që ngre ai, duke e kaluar shpejt çështjet e tjera, përfshi ato organizative apo të fushatës.

Vetë zoti Meta nuk iu përgjigj mediave kur u pyet për këtë çështje. Sakaq, sekretarët e partisë, nuk pritet të lëvizin nga preferencat e deritanishme, duke bërë që pjesa tjetër e kryesisë, të mbetet nën varësinë e interesave të ngushta./tvklan.al