Kryetarja e KLGJ: Më problematiket Gjykatat e Apelit, nuk mund të zëvendësohen brenda një nate
Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe ata të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në prag të mbylljes së vitit 2021 kanë zhvilluar një mbledhje të përbashkët. Në takimin ku u diskutua për ecurinë e dy institucioneve për vitin që lamë pas, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami tha se më problematiket deri më tani në sistemin e drejtësisë janë gjykatat e Apelit.
“Vettingu ka sjellë humbje të konsiderueshme dhe po gërryejnë kapacitetet dhe aftësitë për të qëndruar dhe motivuar, 2/3 e gjyqtareve, Apelet janë thembra e Akilit se kapitalin e ngritur për 30 vjet nuk e ngremë dot brenda 1 nate, duhen ndërhyrje në ligj. Në 2021 KLGJ ka mundësuar trupën gjyqësore me 26 punonjës në shkallë vendi dhe për të krijuar njësitë gjyqësore për Apelin”.
Gentian Ibrahimi kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjatë fjalës së tij nënvizoi faktin se është i nevojshëm një rakordim dhe interpretim ligjor midis 2 institucioneve për menaxhimin sa me optimal të sistemit gjyqësor.
“Ne jemi solidarisht përgjegjës për menaxhimin e sistemit të drejtësisë. Kjo është mbledhja e parë e dy Këshillave, sepse te dy institucioneve menaxhojnë statusin dhe karrierën e magjistratëve. Jemi familjet e prokuroreve dhe gjyqtare dhe çështjet që kemi zgjedhur për t’i trajtuar sot kanë ndjeshmëri publike”.
Gjatë diskutimeve anëtari i KLP-së, Bujar Sheshi, deklaroi se sfida kryesore me të cilën po përballet sistemi aktualisht është mungesa a magjistratëve dhe pamundësia për të përmbushur detyrën e atyre që janë në sistem. Sheshi tha se aktualisht janë 121 vakanca prokurorësh dhe se ripërtëritja kërkon 5 vite.
Klan News