Raporti i KLP: Prioritet, plotësimi i SPAK
Pesë prokurorë kërkuan të vihen në mbrojtje gjatë vitit 2019, me argumentin se janë ndjerë të kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës. Mësohet se dy nga prokurorët që janë vënë në mbrojtje janë pjesë e Prokurorisë së Posaçme anti-Korrupsion që ka nën hetimet zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë dhe anëtarë të grupeve kriminale.
Të dhënat janë publikuar në raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë drejtuar Kuvendit, ndërsa një tjetër shqetësim mbetet mungesa e mjediseve, numri kufizuar i stafit, si dhe mungesa e inspektimeve apo hetimet disiplinore në radhët e prokurorëve.
Një nga prioritetet e KLP për 2020-n është edhe plotësimi i Prokurorisë së Posaçme me 15 prokurorë nga 9 që janë aktualisht. Në raport thuhet se brenda 6-mujorit të parë të vitit 2020, KLP do të emërojë edhe 3 prokurorë të tjerë në SPAK që aktualisht janë në proces rivlerësimi.
Gjatë 2019-s në adresë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë mbërritur 280 denoncime për shkelje të kryera nga prokurorët e të gjitha shkallëve dhe 38 prej tyre janë referuar në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ndër të tjera në raport thuhet se nga Janari deri në Dhjetor 2019, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka kryer asnjë hetim disiplinor ndaj prokurorëve.
Tv Klan